Përjashtohet përgjithmonë peshëngritësi Arbër Çerçizi, rezultoi me kokainë në kontroll

Peshngritësi i njohur Arbër Çerçizi ka rezultuar pozitiv me kokainë nga kontrolli i antidopingut i federatës shqiptare të peshëngritjes.
Kjo federatë vendosi ta pezullojë Çerçizin përgjithmonë nga sporti duke qenë se është përsëritës.
Kujtojmë se peshngritësi ka marrë pjesë në disa gara ndërkombëtare të peshëngritjes, ku ka fituar edhe medalje argjendi dhe bronzi, duke ngritur flamurin kuqezi në poduim.
“Federata Shqiptare e Peshëngritjes gjatë zhvillimit të Kampionatit Kombëtar për të rritur, të zhvilluar në datë 20-21 shkurt 2021 në qytetin e Durrësit, duke pasur në moton e saj luftën e pandërprerë ndaj fenomenit të dopingut i kërkoi OKAD në Shqipëri kontrollin antidoping për të gjithë sportistët pjesëmarrës në këtë kampionat. Mbas marrjes së mostrave me datë 22.03.2021 vjen pergjigja nga OKAD, sipas testit No LC 1001/21, ku ka rezultuar pozitiv me substancë kokainë, sportisti Arbër Çerçizi.
Të gjithë sportistët pjesëmarrës në Kampionatin Kombëtar dolën negativë, përjashtim bën sportisti i Klub Sport Apollonia, Arbër Çerçizi, i cili doli pozitiv me substancën kokainë. Në këtë situatë, ku Federata po lufton për sport të pastër, mbasi është goditur nga ky fenomen dhe ky sportist është përsëritës, mblodhi Komitetin Ekzekutiv në mënyrë urgjente sot me datën 25.03.2021 dhe vendosi masat ekstreme: Përjashtimin e sportistit Arbër Çerçizi përgjithmonë nga sporti i peshëngritjes, si dhe trajnerit të klubit sportiv Apollonia për një periudhë 5-vjeçare të mos ushtrojë profesionin e trajnerit. Për çdo sportist qoftë ai dhe medalist që do dali pozitiv nga kontrolli i kërkuar nga fedarata do të ketë të njejtën mase (përjashtim nga sporti),”- njofton Elez Gjoza, president i Federatës Shqiptare të Peshëngritjes.