Pse nuk u bë publik takimi Rama-Kurti? Bojken Abazi zbulon se kreu i LVV ia la në dorë…

Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje në Shqipëri, Bojken Abazi është pyetur se përse nuk u zbardh takimi mes Albin Kurtit dhe Edi Ramës.
Ai ka thënë se Kurti ua kishte lënë në dorë atyre që e kanë pritur që të bënin publik takimin.
Presidenti Ilir Meta dhe kreu i PD-së Lulzim Basha e bënë publike takimin dhe zbardhën disa nga bisedat e takimit.
Në një intervistë për A2 Neës, Abazi tha: “Di që ftesa ka ardhur nga Rama, dhe Kurti ka mbajtur qëndrimin që në këtë vizitë, bërjen publike të takimit, ta bëjnë ata që e kanë pritur”.
Bojken Abazi do të kandidojë në qarkun e Tiranës si kandidat i pavarur në zgjedhjet e 25 prillit. Ai tha se fitorja e Lëvizjes Vetëvendosja në Kosovë ka sjellë një valë entuziazmi edhe në Shqipëri.
“Këtë e shoh në disa fshatra të thella të Përmetit dhe Gjirokastrës. Shumë qytetarë në Shqipëri po e përqafojnë si projekt duke ndjerë frymën e nacionalizmit progresist, i ndërthurur me modelin ekonomik. Shqiptarët e Shqipërisë duhet të lëvizin se nuk do të na vijë shpëtimi nga anëtarët e Vetëvendosje, por është momenti që shqiptarët e lodhur në këto 30 vite, të përfshihen dhe të kalojnë nga dëshira te vullneti”,- tha ai.