“QETËSOHUNI”, Kalo: Pezullimi i vaksinës së AstraZeneca, thjesht një…

Ndërsa pandemia e koronavirusit mban të “mbërthyer” botën, pezullimi i përdorimit të vaksinës së AstraZeneca ka shkaktuar jo pak debat, mes frikës se shkakton mpiksje gjaku.
Janë një sërë shtetesh që kanë pezulluar përdorimin e kësaj vaksine, ndonëse Agjencia Europiane e Barnave ka bërë thirrje që vaksinimi të vazhdojë, pasi vaksina e AstraZeneca nuk shkakton efekte anësore serioze.
Ndërkohë, vaksinimi me AstraZeneca ka filluar edhe në vendin tonë, ndërsa mjeku i njohur, Tritan Kalo, thotë se debati është vetëm politik.
Për “abcnews”, Kalo shprehet se duhet qetësi dhe se pezullimi i vaksinës së AstraZeneca është thjesht një ndëshkim i Britanisë post-brexit.
“Së pari është katër herë më e lirë se Pfizer- Biontech, së dyti ruhet si vaksinat e tjera dhe jo në -80 gradë si Pfizer-Biontech, së treti është pothuajse po aq efikase sa vaksina e Pfizer-Biontech…Në mbyllje, është thjesht një ndëshkim i Britanisë post-brexit…. Politikë përtej arsyes e nevojave njerëzore”, tha mjeku.
Epidemiologu Alban Ylli, që u bë pjesë e Komitetit Teknik të Ekspertëve po ashtu i kontaktuar nga Abcnews.al e cilësoi humbje kohe vendimin e shumë vendeve të BE-së për të pezulluar vaksinën AstraZeneca.
“Humbje kohe, jemi në një situatë të pazakontë për ne kryesorja është që të sigurojmë sa më shumë vaksina” tha ai. I pyetur në lidhje me masat anti-covid, se cili është mendimi i tij nëse duhet të shtrëngohen, Ylli u shpreh se “Besoj se duhet të qëndrojnë në fuqi të njëjtat masa që janë” përfundoi ai.
Kush po i prodhon vaksinat e AstraZeneca?
Vaksina u zbulua nga një ekip nga Universiteti i Oksfordit dhe kompania farmaceutike Britanike-Suedeze AstraZeneca. Ekipi hulumtues përfshin shkencëtarë nga Instituti Jenner dhe Grupi i Vaksinave të Oksfordit.