Rama ftesë mjekëve dhe infermierëve nga Kosova, zbulon se kur pritet të vijnë 90 mijë vaksinat e radhës

Mbrëmjen e sotme kanë mbërritur në Shqipëri 38 400 dozat e para të vaksinës AstraZeneca.
Nga Rinasi, kryeministri Edi Rama tha se nga nesër Shqipëria është gati të ofrojë vaksina për mjekët nga Kosova. Ai shtoi se mjekët e spitaleve Covid të Kosovës do të mund të vaksinohen në Kukës.
Rama tha se edhe 60 mijë doza të tjera vaksinash anti-Covid, pritet që të vijnë në prill.
“Edhe 60 mijë doza do mbërrijnë në muajin prill. Presim edhe rreth 60 mijë doza me Astrazeneca dhe 30 mijë nga kompania Pfizer Ideja është që të kemi vaksinim intensiv. Që nesër do të organizohemi së bashku me Kosovën për t’u dhenë mundësi mjekëve dhe infermierëve të spitalit Covid që të vijnë të vaksinohen në Kukës Do jetë e rëndësishme, që edhe në Kosovë të thyhet kjo pengesë për të pasur dozat e para të vaksinës anti-Covid”, u shpreh Rama.
Pavarësisht debatit në disa shtete, në Shqipëri vaksinat e AstraZeneca-s do të përdoren në çdo grupmoshe. Nesër, procesi pritet të nisë me mësuesit dhe pefagogët.
Organizata Botërore e Shëndetësisë tha sot se shtetet nuk duhet të ndalojnë së përdoruri vaksinën e AstraZeneca nga frika se shkakton mpiksje të gjakut, pasi nuk ka asnjë provë se kjo është e vërtetë.
Bullgaria, Danimarka dhe Norvegjia janë ndër vendet që kanë ndaluar përdorimin e saj, por OBSH thotë se nuk ka arsye për t’u shqetësuar.
Zëdhënësja e OBSH, Margaret Harris tha se AstraZeneca është një “vaksinë e shkëlqyeshme” dhe duhet të vazhdojë të përdoret./Gazeta SHQIP