Rama mungon në Kuvend, opozita parlamentare kërcënon me rrëzimin e qeverisë

Kryeministri Edi Rama prej disa seancash nuk i është përgjigjur thirrjes së opozitës parlamentare për një interpelancë urgjente.
Edhe kjo e sotshmja ‘dështoi’, pasi kreu i qeverisë ndodhet në Bruksel në një vizitë zyrtare.
I acaruar nga “mospërfillja e kryeministrit”, deputeti Kostaq Papa paralajmëroi për mocion mosbesimi për rrëzimin e qeverisë.
“Pse mungon kryeministri Edi Rama. Kemi kërkuar interpelancë urgjente, Rama mungon prej disa kohësh. E ka detyrim të jetë në parlament, ashtu siç ka detyrime për të bërë vizita. Do na detyrojë të bëjë mocion mosbesimi, edhe pse nuk i kemi votat.”, deklaroi deputeti Papa.
I sigurtë për numrat, kryetari i Kuvendit iu pëgjigj shkurt deputetit, duke i thënë “bujrum”.
“Kryeministri ka deleguar ministrin e brendshëm dhe ministren e shëndetësisë për t’u përgjigjur. Lidhur me séance për të bërë mocion, bujrum, bëje”, tha Ruçi. /Gazeta SHQIP