Rama premton ‘vaksim me shpejtësinë e vendeve të BE’: Do kemi sezon turistik më të lehtë se vjet

Kryeministri Edi Rama ka reaguar sërish pas mbërritjes së 38 400 vaksinave të AstraZeneca në Shqipëri, me të cilat pritet të nisë vaksinimi i mësuesve dhe pedagogëve.
Kreu i qeverisë premton një sezon turistik më të lehtë se një vit më parë falë rritjes së shpejtë të vaksinimeve deri në muajin qershor.
Përmes një postimi në Facebook, Rama shkruan se vaksinimi i popullsisë shqiptare do të bëhet me shpejtësinë e shumicës së vendeve të BE.
“Falë rritjes së shpejtë të vaksinimeve deri në qershor, ne do të kemi një sezon turistik më të lehtë se sa vitin e shkuar dhe falë organizimit që kemi bërë, ne do ta kryejmë vaksinimin e popullsisë me shpejtësinë e shumicës së vendeve të Bashkimit Europian”, shkruan Rama.
Më herët, nga Rinasi, Rama tha se nga nesër Shqipëria është gati të ofrojë vaksina për mjekët nga Kosova. Ai shtoi se mjekët e spitaleve Covid të Kosovës do të mund të vaksinohen në Kukës. /Gazeta SHQIP