Rama ‘thyen’ protokollin në Itali, kërkesa e papritur që i bëri ministrit Di Maio

Kreu i qeverisë shqiptare Edi Rama ishte në një vizitë zyrtare në Itali ku është pritur nga ministri i Jashtëm italian, Luigi Di Maio dhe Presidenti i Rajonit të Pulias, Michele Emiliano.

Gjatë konferencës për shtyp, u përkujtua edhe eksodi masiv i viteve ’90 i shqiptarëve drejt Italisë dhe ndihma e çmuar e dhënë nga shteti italian për Shqipërinë përgjatë 30 viteve.

“Ato momente të vështira që vënë në provë miqësinë e vërtetë. Janë tashmë 30 vite kur shqiptarët erdhën në këtë anë të detit. Në këto 30 vite ndodhën shumë gjëra por ishte shumë e madhe bujaria e Italisë. Kjo periudhë e historisë sonë nuk do të harrohet kurrë. Uroj që ju të mos keni nevojë kurrë për ne por sa herë të keni nevojë ne do të jemi aty për ju”, tha Rama.

Kreu i qeverisë shqiptare u ndal edhe tek një çështje e rëndësishme për emigrantët, siç është njohja e patentave nga pala italiane.

“Ambasadori do të më falë për këtë thyerje të protokollit dua të shfrytëzoj këtë mundësi për t’i thënë Luigit të kujdeset për patentat e shqiptarëve në Itali, pasi kanë ngecur në korridoret e burokracisë italiane dhe duhet ta zgjidhë këtë ngërç”, i kërkoi Rama kryediplomatit italian.

Nga ana e tij, ministri i Jashtëm i Italisë Luigi Di Maio, tha se Italia po bën gjithçka që Bashkimi Evropian të hapë negociatat me Shqipërinë brenda vitit.

“Evropa duhet të tregohet në lartësinë e aspiratave të shqiptarëve“, tha ai.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT