Rama zbërthen “shkallimin e Ilir Metës”: Ja pse janë në tension presidenti dhe Sali Berisha

Kryeministri Edi Rama, deklaroi sot gjatë një konference për mediat se presidenti Ilir Meta dhe ish-kryeministri Sali Berisha janë të shqetësuar nga reforma në drejtësi.
Kreu i qeverisë, ndërsa ka folur për disa ligje të Reformës në Drejtësi që janë depozituar për korrigjim në Kuvend, tha se reforma ka filluar të japë efekte domethënëse, saqë janë tensionuar presidenti dhe ish-kryeministri Sali Berisha.
“Ju nuk do të bëni gabimin që bën Ilir Meta dhe ata që kanë lidhur Lulin me zinxhir sepse reforma në drejtësi dhe jo çdo ligj po çdo nen i çdo ligji të të gjithë paketës të reformës nuk është vullnet i shumicës qeverisëse, por vullnet i plotë i garantëve të reformës, miqtë amerikanë.
S’ka nen të reformës që kalon pa u diskutuar dhe miratuar bashkarisht. Reforma në drejtësi është aq e besueshme sa niveli i shkallimit të Ilir Metës, shikoni Ilir Metën dhe aty matet besueshmëria e reformës, kuptoni se ka filluar të japë disa shenja domethënëse që nuk janë shumë dhe fare mjaft por që janë mjaftueshmërisht të qarta për të tensionuar Ilir metën dhe Sali Berishën. Shumë e qartë kjo”, tha Rama.
Kujtojmë se një ditë më parë, Meta foli me tone të ashpra duke thënë se do i presë dorën kujtdo që vjedh votën dhe në rast se Rama merr 71 mandate, do japë dorëheqjen si President për të kaluar në opozitë. /Gazeta SHQIP