Shifrat/ Kthesa e madhe në spitale, bie ndjeshëm numri i të shtruarve, sa persona janë të intubuar

Në 24 orët e fundit në Shqipëri janë shënuar 590 raste të reja nga 2994 testime që janë bërë dhe 14 humbje jete.
Pavarësisht se sot u konstatua një rritje e infeksioneve, numri i shtrimeve në spitale ka rënë ndjeshëm, në shifra që nuk raportoheshin prej muajsh.
Aktualisht raportohet për 406 pacientë të shtruar, nga 440 që numëroheshin dje.
“Aktualisht në spitalet COVID në Tiranë dhe tre spitalet rajonale po trajtohen 406 pacientë, 31 në terapi intensive, nga të cilët 14 pacientë janë të intubuar.”, njofton ministria.
Kujtojmë se gjatë muajit shkurt, numri i të shtruarve në spital shkoi edhe mbi 650 pacientë.
Më shumë të shëruar se të infektuar
Në 24 orët e fundit janë shëruar 710 qytetarë, duke e çuar numrin e të shëruarve në 83,264 që nga fillimi i epidemisë.
Vaksnimet
Vijon procesi i vaksinimit antiCOVID në qendrat e përqendruara të vaksinimit si dhe në shkolla për arsimtarët. Gjatë ditës së sotme janë kryer 2954 vaksinime antiCovid dhe që nga fillimi i vaksinimit janë kryer 36,323 vaksinime për personelin shëndetësor, të moshuarit dhe mësuesit.
Apeli
Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale iu bën apel të gjithë qytetarëve të mos e ulin vigjilencën dhe të vijojnë të zbatojnë rregullat për parandalimin e COVID19: Vendosni maskën mbrojtëse në çdo ambient jashtë shtëpisë, shmangni grumbullimet, ruani distancimin fizik; kujdesuni për higjenën vetjake dhe vetëizolohuni kur dyshoni se jeni të prekur nga COVID19. /Gazeta SHQIP