Shqipëria siguroi 1 mlm doza/ E mori edhe Erdogan, vaksina kineze përdoret në 22 vende të botës

Shqipëria ka siguruar 1 milion doza të vaksinës kineze anti-Covid, ndërsa 190 mijë prej tyre tashmë kanë mbërritur në vendin tonë.
Vaksina e firmës kineze Sinovac është duke u përdorur në 22 vende të botës. Plani ambicioz i kësaj firme është të prodhojë 2 miliardë doza brenda 2 muajve për të përshpejtuar ritmet e vaksinimit në vendet ku po shpërndahet, të cilat deri më tani i ka furnizuar me 160 milionë doza.
Turqia është një nga vendet ku kjo vaksinë po luan rolin kryesor në procesin e imunizimit të popullatës. Presidenti Rexhep Taip Erdogan ishte ndër të parët që e mori që në Janar kur vaksina ishte ende në faza testimi klinik në këtë vend.
Rezultatet e testeve në Turqi kanë treguar efektshmëri 83.5% të kësaj vaksine. Sinovac i ka bërë ofertë për furnizim edhe nismës COVAX ku bën pjesë edhe Shqipëria, teksa pritet marrja e një vendimi. Por vendi ynë e merr paraprakisht këtë vaksinë nga Turqia.
Sakaq, AstraZeneca, një tjetër firmë vaksinat e të cilës përdoren edhe në Shqipëri, njoftoi se efikasiteti i produktit të saj është 76% në parandalimin e të gjitha formave simptomatike të Covid-19 dhe 100% për rastet e rënda.
Disa nga vendet që po e përdorin janë Brazili, Serbia, Hungaria Kili, Guatemala, Hong Kongu, Indonezia, Malajzia, Qipro Veriore, Filipinet, Tajlanda, Turqia dhe Uruguaji .