Takimet e Bashës, Rama: Mitingun përmbyllës rrezikojnë ta bëjnë tek “Shefqet Ndroqi”

Kryeministri Edi Rama ka sulmuar ashpër kryetarin e PD, Lulzim Basha për takimet elektorale në shkelje të covid.
Kreu i qeverisë tha nga Lezha, se Basha është bërë aleat me koronavirusin dhe rrezikon ta bëjë mitingun përmbyllës tek spitali “Shefqet Ndroqi”.
“Larg qoftë, nuk ia uroj askujt, por mitingun përmbyllës rrezikojnë ta bëjnë tek “Shefqet Ndroqi”. Por me covid, pa covid, të njëjtin stil kanë, dy gishtat lart dhe Rama Ik. Ndërkohë ne jemi këtu për të përzënë covid-in. Ata janë aleat me covid, siç ishin edhe me tërmetin. Mua kjo fushatë më pëlqen shumë sepse duke qenë me pak njerëz është një fushatë ku mund të flasim dhe jo të bërtasim. Është mundësia për të komunikuar. Ata nuk dinë, bëjnë vetëm rrëmujë, me dy gishtat lart dhe hipur mbi makina. E futën e covid-in nëpër makina”, tha Rama.
Një përgjigje për kundërshtarët se po përdor vaksinimin për fushatë, Rama tha se një gjë e tillë nuk qëndron, pasi thjesht ka bërë detyrën.
“Si, në çfarë forme e paskemi lidhur vaksinimin me fushatë, ku ne jemi i vendi nga 2 vende në rajon që kemi siguruar vaksinimin masiv. BE na përjashtoi të gjithëve ne dhe rajonin nga skema e shpërndarjes së vaksinave, s’kishim asnjë, sot ne bëjmë vaksinim masiv, ndërkohë që të tjerët janë në fazën e dozave simbolike, pse apo se ranë nga qielli, apo sepse në e bëmë planin në atë mënyrë që vaksinat të vijnë në të njëjtën kohë me fushatën? Jo sepse ne bëmë detyrën tonë, se askush tjetër nuk e bën detyrën si ne”, tha Rama./Gazeta SHQIP