U largua nga Komiteti, Kalo: Pyesni ata që u duhet për 25 prillin, unë në korrik dal në pension

Mëngjesin e së enjtes që kaloi, më 4 mars, mjeku Tritan Kalo lajmëroi largimin nga Komiteti Teknik i Ekspertëve. Mjeku i njohur, me një karrierë të spikatur, u largua i lënduar nga ky angazhim.
“Intervistoni ata që dinë të flasin me gjuhën e politikës… U duhet për 25 prillin… Unë zyrtarisht në 18 Korrik 2021 mbush moshën e pensionit”, kjo ishte përgjigja e doktorit Tritan Kalo, ndaj ftesës së emisionit “Vetting” për të shprehur mendimin e tij.
Kalo tregoi neverinë që ndjen për politikën në Shqipëri, që ndërhyn në çdo aspekt përfshi edhe në atë komitet ekspertësh që quhej teknik, por në fund të fundit rezultoi të ishte tërësisht politik.
Ndërkohë që doktor Kalo deklaroi dorëheqjen nga komiteti teknik, Najada Çomo, një prej drejtueseve më të rëndësishme të këtij komiteti, u shfaq në krah të kryeministrit Rama, i cili e ftoi publikisht të bëhej kandidate për deputete e PS-së.