Vaksinohen edhe 5 mijë persona, bie sërish numri i të shtruave në spital. Sa persona janë të intubuar dhe në terapi intensive

Ministria e Shëndetësisë raportoi sot për 494 raste të reja dhe 16 humbje jetë në 24 orët e fundit.

Numri i vdekjeve u rrit me 2 krahasur me dje, por pati një rënie të infeksioneve.

Vaksinohen edhe 5 mijë persona

Vijon procesi i vaksinimit antiCOVID në qendrat e përqendruara të vaksinimit si dhe në shkolla për arsimtarët. Gjatë ditës së sotme janë kryer 4998 vaksinime antiCovid dhe që nga fillimi i vaksinimit janë kryer 41,321 vaksinime për personelin shëndetësor, të moshuarit dhe mësuesit.

Situata në spitale

Numri i të shtruarve në spital, ka zbritur nën 400, shifër që nuk raportohej prej muajsh.

“Aktualisht në spitalet COVID në Tiranë dhe tre spitalet rajonale po trajtohen 390 pacientë, 33 në terapi intensive, nga të cilët 13 pacientë janë të intubuar.”, njofton ministria.

Të shëruarit

Në 24 orët e fundit janë shëruar 690 qytetarë, duke e çuar numrin e të shëruarve në 83,954 që nga fillimi i epidemisë.

Sa të infektuar kemi

Që prej marsit të vitit të kaluar, bazuar në shifrat ditore të publikuara nga Ministria e Shëndetësisë, në Shqipëri janë infektuar 120,022 persona.

Nga këta persona 2122 kanë ndërruar jetë, ndërsa 83,954 persona kanë arritur të fitojnë betejën me virusin e padukshëm. Aktualisht janë 33,946 të infektuar në të gjithë vendin.

Apeli

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale iu bën apel të gjithë qytetarëve të mos e ulin vigjilencën dhe të vijojnë të zbatojnë rregullat për parandalimin e COVID19: Vendosni maskën mbrojtëse në çdo ambient jashtë shtëpisë, shmangni grumbullimet, ruani distancimin fizik; kujdesuni për higjenën vetjake dhe vetëizolohuni kur dyshoni se jeni të prekur nga COVID-19. /Gazeta SHQIP

Back to top button
LAJMET E FUNDIT