A e shpëton vaksina turizmin? Përfaqësuesi i Tur-Operatorëve: Përveç stafit të hoteleve duhen vaksinuar edhe…

Vetëm para pak ditësh, autoritetet shëndetësore në vend njoftuan se planin e vaksinimit të shpejtë do të hyjnë edhe punonjësit e turizmit, në një përpjekje për t’i dhënë një rinisje këtij sektori që të dhënat e nxjerrin si sektorin më të goditur nga pandemia në Shqipëri.
Sipas planit të paraqitur, do të jenë stafet e hoteleve, punonjësit e guidave profesionale dhe ata që mirëpresin turistë në muze e vende historike, ata që do të vaksinohen të parët në sektorin e turizmit.
Me këtë plan, vendi ynë bëhet i pari në rajon që synon të krijojë mbrojtje dhe siguri për turistët, ndërsa nisma është mirëpritur nga tur-operatorët dhe shoqatat e biznesit.
Në një lidhje skype për “Wake Up”, Kliton Gërxhani nga Shoqata Shqiptare e Tur Operatorëve dhe Agjencive Turistike theksoi se ende nuk ka një datë kur do nisë vaksinimi i këtyre stafeve.
“Është një vendimmarrje e logjikshme të themi që të paktën fronti i parë i punonjësve të turizmit, që është në kontakt direkt me turistët e çdo kategorie, të vaksinohet. Sigurisht pasi të hiqen kategoritë e tjera të emergjencës, si mjekët, mësuesit dhe policët.
Ne nuk kemi një datë për vaksinimin. Tek e fundit ajo që ka më shumë vlerë në këtë histori nuk është kush e thotë i pari, apo kujt ja vjedhin idenë, por ta dimë që do fillojmë në këtë datë.
Të ketë një listë të kategorisë së këtyre punonjësve. U thanë që do jenë stafet e hoteleve, por turisti nuk është në kontakt vetëm me punonjësit e hotelerisë, por që në aeroport vjen dhe merr një mjet transporti, guidat që e shoqërojnë atë grup turistësh, pastaj do shkojë në hotel, pastaj në një restorant tjetër. Logjikisht duhen vaksinuar të gjithë këta, sepse janë në kontakt me turistët”, theksoi Gërxhani.