“Basha po i çon për skrap mbështetësit”/ Rama në Kavajë: Të vjen të puthësh Dash Shehin në buzë kur…

Kryeministri Edi Rama ishte i pranishëm sot në Kavajë në vijim të fushatës elektorale ku tregoi punët e qeverisë në këtë qytet si dhe sulmoi PD për fushatën që po bën në kohë COVID-i.
Nuk munguan as batutat gjatë fjalës së tij, ku kreu i qeverisë akuzoi kundërshtarët e tij politikë se gjithnjë bëhen palë me problemet, si me tërmetin ashtu dhe pandeminë.
“Duke u lutur që Zoti t’i mbrojë ata të cilët udhëheqësi i çon për skrap, le të bëjnë durim deri më 25, dhe të gjithë shqiptarët t’i japin një mësim të madh këtyre honxho-bonxhove që kanë 8 vjet që vetëm helmojnë, shkatërrojnë, që nuk kanë dhënë një kontribut të vetëm. Mirë në kohë normale, por s’kanë dhënë kontributin e tyre as të mirëkuptimit dhe të heshtjes as në kohë tragjedie. Bie tërmet, këta janë me tërmetin, bie flama, këta janë me flamën.
Se këtu akoma ca vazhdojnë me fantazmën, në vend të atyre dy gishtave që u hoqën, kanë Saliun, që është si fantazma. Mirë ky, po është dhe Peço këtu, janë dy doktorë që qëkur ka ardhur virusi janë bërë si virusi.
Kur dëgjon këta, të vjen ta puthësh Dash Shehin në buzë. Këta janë personazhe që në kushte normale janë për të qeshur. Janë dhe për të vajtuar. Por gjyshërit dhe gjyshet nuk po i pyesin fare, se po shkojnë masivisht të vaksinohen,” tha Rama.