Brataj: Përse infektohemi me Covid edhe pasi kemi marrë dozën e parë të vaksinës

Ka me dhjetëra raste që personat që kanë marrë dozën e parë të vaksinës, të infektohen me covid. Kreu i Urgjencës Kombëtare, Skënder Brataj sqaron se nuk është vaksina ajo që shkakton infektimit, por virusi Sars Cov2.

Nëpërmjet një statusi në rrjetin social “Facebook”, Brataj shkruan se ka pasur jo pak raste infektimi me Sars Cov2 edhe kur është marrë doza e parë e vaksinës, ndërsa shton: “Përgjigja imunitare pas dozës së parë nuk është e lartë që të na mbrojë nga infektimi, por sidomos nga format e rënda”.

Brataj shprehet se vërtet vaksina ul infeksionin dhe rastet e rënda, por nëse infektohemi në periudhën midis dozës së parë dhe të dytë, atëherë rreziku është i lartë.

“Që nga fillimi i vaksinimit ka pasur jo pak raste infektimi me SarsCov2 edhe në ato raste kur është marë doza e parë e vaksinës. Nuk është vaksina që shkakton sëmundjen e Covid-19, por infektimi me SarsCov2. Specifikoj se ka pasur raste për të gjitha llojet e vaksinave që janë soministruar në Shqipëri! Antitrupat kundër SarsCov2 fillojnë në javën e dytë pas injektimit të vaksinës. Po ashtu përgjigja imunitare pas dozës së parë nuk është e lartë që të na mbrojë nga infektimi, por sidomos nga format e rënda. Antitrupat fillojnë të prodhohen në nivele të larta pas 7-10 ditësh nga marja e dozës së dytë. Vërtet që vaksina ul infeksionin dhe rastet e rënda por nëse infektohemi në periudhën midis dozës së parë dhe të dytë rreziku është i lartë. Ne mund të infektohemi dhe të shfaqim sëmundjen e Covid-19 me të gjitha format e saj, të lehta, të mesme dhe të rënda. Respektimi i masave mbrojtëse është i domosdoshëm, sidomos në këtë periudhë tranzitore.
Edhe pak durim, derisa të fitojmë këtë betejë të fundit me virusin. Jeta është pasuria më e madhe që kemi, prandaj ne duhet ta ruajmë atë!”, shkruan Brataj.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT