Databaza me të dhënat e qytetarëve në “duart” e PS, Prokuroria Speciale nis hetimet

Prokuroria Speciale SPAK nis hetimet për databazën e përfolur të të dhënave të qytetarëve, me informacione konfidenciale, të cilat sipas disa raportimeve të fundit janë në duart e Partisë Socialiste, dhe po përdoren për fushatë.
Portali Lapsi pretendoi se disponon një (kopje) databazë me këto të dhëna, që përfshijnë gjeneralitetetm numrin e kartës ID dhe vendin e punës. Menjëherë Enkelejd Alibeaj nga PD doli në një deklaratë për media, duke akuzuar se të dhënat përdoren për qëllime elektorale.
Ndërkohë, dje ka reaguar dhe Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), e cila hodhi poshtë këtë pretendime.
“Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit garanton qytetarët shqiptarë se në asnjë rrethanë të dhënat e disponuara nga AKSH-i as nuk janë përdorur, po as nuk mund të përdoren teknikisht nga partitë politike ose vetë qeveria për qëllime politike apo elektorale”, thuhej në reagimin e AKSHI-t.
Prokurorët e SPAK kanë nisur hetimet për parë nëse të dhënat e qytetarëve janë marrë nga platforma e Qeverisë, dhe siç pretendon portali Lapsi.al, po përdoren nga PS për fushatë. Hetimet pritet të konfirmojnë nëse këto të dhëna janë marrë nga platforma qeveritare apo janë të vetë Partisë Socialiste.
“Po bëjmë verifikime, por nuk ka ende denoncime”, ka thënë Kraja.