‘Do ta bëj Shqipërinë kampione’, Rama: Mandati u thye në mes nga tërmeti dhe pandemia

Kryeministri Edi Rama ndodhet në Korçë ku ka prezantuar kandidatët për deputetë. Rama tha se PS kërkon mandatin e tretë për të vazhduar reformat, pasi i dyti u thye në mes nga pandemia dhe tërmeti.
“Ne kemi patur një mandat dhe një luftë. Mandati u thye në mes nga dy goditje shumë të rënda, dy fatkeqësi të mëdha që mund të kishin plandosur përtokë një elefant, tërmeti katastrofik dhe pandemia që tronditi gjithë botën. Dy goditje që na vunë në sprovë karakteri, qëndrueshmërie, kurajo dhe aftësie për t’ia dalë mbanë. Kur ra tërmeti shumë pak besonin se do ia dilnim”, tha Rama.
Kryeministri tha se Shqipëria do të kthehet në kampione të turizmit.
“Para pak ditësh pashë një raport të Bankës Botërore të vitit 2008, kur flitej për bum turistësh në Shqipëri dhe ky bum ishte shumë më pak se sa ai që sot ka vetëm Korça. Këtu është vendi i duhur për të thënë që ambicia jonë në vizionin Shqipëria 2030, është që ta bëjmë Shqipërinë kampione të turizimit, të eksportit bujqësor dhe agroturizmit. Nëse flasim për investime të mëdha, mund të flasim për Durrësin, do ta bëjë kompania e huaj portin më të madh në Mesdhe, në Vlorë e Sarandë ku aktualisht është në kantier. Në këto dy mandate ne kemi ndërtuar një platformë të re dhe do ta ngremë Shqipërinë në një tjetër nivel.”, tha Rama./Gazeta SHQIP