Duke përkëdhelur një foshnje, Yuri Kim sheh nga afër investimet e SHBA te ‘Koço Gliozheni’: Krah për krah do të kalojmë edhe pandeminë

Ambasadorja e SHBA Yuri Kim, e shoqëruar nga zëvendës Ministrja e Shëndetësisë Mira Rakacolli dhe drejtori i UNICEF-it në Shqipëri, Roberto De Bernardi, vizituan sot maternitetin “Koço Gliozheni”.
Ata patën mundësinë të shohin nga afër sesi ndihma e SHBA për Shqipërinë po vihet në përdorim.
Ambasadorja amerikane ka publikuar disa foto të ëmbla teksa shihet duke përkëdhelur një foshnje në maternitet.

Ambasada amerikane shkruan se “vlerëson përkushtimin dhe kontributin e mjekëve në të gjithë Shqipërinë, të cilët kanë qenë në vijën e parë të luftës ndaj Covid-19”.

“Ambasadorja Yuri Kim, e shoqëruar nga Zëvendës Ministrja e Shëndetësisë, Znj. Rakacolli – Kapisyzi dhe Drejtori i UNICEF-it në Shqipëri, Z. Roberto De Bernardi, vizituan sot maternitetin “Koço Gliozheni” dhe patën mundësinë të shohin sesi ndihma e SHBA për Shqipërinë po vihet në përdorim. Shtetet e Bashkuara kanë dhënë më shumë se 2 milion dollarë për Shqipërinë në përgjigje të pandemisë COVID-19, duke përfshirë këta 10 inkubatorë, 10 tavolina reanimacioni, 12 ngrohës dhe 10 llampa foto-terapie për njësinë e kujdesit intensiv për të sapolindurit në spitalin “Koço Gliozheni”. Ambasada Amerikane e vlerëson kontributin dhe përkushtimin e mjekëve, infermierëve dhe punonjësve të kujdesit shëndetësor në të gjithë Shqipërinë, të cilët kanë qenë në vijën e parë duke luftuar pandeminë. “Krah për krah” do ta kalojmë edhe këtë!”, shkruan faqja e ambasadës amerikane në Facebook.