EMRAT: Cilët janë pesë kandidatët e pavarur të 25 prillit, si ua pamundëson barazinë në garë Kodi i ri Zgjedhor

Ndryshimet e fundit në Kodin Zgjedhor imponojnë çdo subjekt zgjedhor të sigurojë 1% të votave në rang kombëtar për të hyrë në procesin e numërimit për të bërë të mundur dhënien e një mandati.
Ky nen i Kodit Zgjedhor nuk është vetëm për partitë politike por edhe për kandidatët e pavarur.
Kjo do të thotë se nëse me 25 prill dalin për të votuar rreth 1 milion e 500 mijë qytetarë shqiptarë, një kandidat i pavarur i cili garon vetëm në një qark, duhet të sigurojë rreth 15 mijë vota.
Mirë po kjo është pothuajse e pamundur për kandidatët e pavarur pasi numri është shumë i lartë në një kohë kur në Tiranë me mbi 911 mijë zgjedhës një kandidat mund të sigurojë mandatin e deputetit edhe pa vota fare, në varësi të pozicionimit të tij në listën e kryetarit të partisë përkatëse.
Kjo pikë e Kodit Zgjedhor e cila mund të “djegë” 5 kandidatët e pavarur nëse nuk ndryshon. Për të ndryshuar ky nen i Kodit Zgjedhor dy janë alternativat.
1) Kuvendi duhet të mblidhet, të bëjë ndryshimet e duhura në komisionin e ligjeve dhe të kalojë për miratim propozimet e reja në seancë plenare. Ato duhet të miratohen nga deputetët me 81 vota dhe më pas botohen ndryshimet në Fletoren Zyrtare dhe hyjnë në fuqi.
2) Një kandidat i pavarur duhet të bëjë ankimim në Gjykatën Kushtetuese dhe me një vendim të formës së prerë ndryshimet hyjnë në fuqi.
Duke pasur parasysh dy fakte, 1) Gjykata Kushtetuese nuk funksionon nën presionin e kohës pasi na ndajnë vetëm 13 ditë nga dita e zgjedhjeve dhe 2) ankimimi i nenit 21 të Kodit Zgjedhor nga dy parti të vogla për shfuqizimin e “herësit” , nuk u trajtua edhe pse zgjedhjet po afrojnë, duket e pamundur që të ketë ndryshime në ligjin tashmë të miratuar.
Në zgjedhjet parlamentare të 25 prillit do të ketë 5 kandidatë të pavarur: Pal Shkambi në Shkodër, Iljaz Shehu në Lezhë, Kreshnik Merxhani në Gjirokastër, Boiken Abazi në Tiranë dhe Elton Debreshi në Dibër.