FOTO/ Sekuestrohen furgonat me xhama të zinj të PD-së, si e rrethuan “Benz”-in e Xhuvanit

Policia ka sekuestruar furgonat me xhama të zinj të PD-së pas ngjarjes së rëndë të ndodhur në Elbasan, ku mbeti i vdekur Pjerin Xhuvani dhe u plagosën 4 të tjerë.
Tre makina të PD-së dhe një pa targa që ishte e viktimës janë sekuestruar nga policia.
Kur kanë kaluar më shumë se 5 orë nga përplasja me armë në Elbasan, skena e krimit është ende e rrethuar nga policia për të mbledhur provat që do t’i shërbenin hetimit.
Deri tani janë shoqëruar mbi 20 persona.
Personave që janë shoqëruar u janë sekuestruar telefonat, pasi komunikimet e tyre të fundit mund të çojnë në zbardhjen e dinamikës, si nisi konflikti.
3 furgonë me logon e PD-së, rrethuan makinën tip “Benz” ku po udhëtonte viktima Pjerin Xhuvani, që sipas denoncimit të PD-së po shpërndante lekë në këmbim të votës në lagjen “5 Maji” në Elbasan.
Në drejtorinë e policisë së Elbasanit ndodhet kupola e policisë së shtetit duke punuar për zbardhjen e plotë të ngjarjes.
Ndërkohë që autori i vrasjes Arbër Papleka ka deklaruar në polici se ka qëlluar për vetëmbrojtje pasi është gjendur nën zjarrin e armëve. Nga plumbat kanë mbetur të plagosur dhe 4 persona të tjerë, njëri prej tyre efektive e policisë.