“Kemi kaluar trazira shumë të mëdha”, Frrok Çupi: Paratë që jepen në kohë zgjedhjesh, i kanë vjedhur nga xhepat tanë
Analisti i njohur, Frrok Çupi, ishte sot i ftuar në emisionin “Breaking” në Top News, për të komentuar procesin e votimit. Ai u shpreh se kemi kaluar trazira shumë të mëdha, e sot duhet t’u bëjmë një homazh shumë të madh njerëzve që kanë ndërruar jetë për politikën.
“Janë 3 dekada që ka terror, shkatërrim ligjor, shkatërrim të pronës. Qytetaria ka ndryshuar dhe voton për një paqe”, u shpreh Çupi.
Sipas tij, kemi një palë që kërcënon palën tjetër dhe kemi një palë shumicë, që beson se do të jetë sërish shumicë.
Duke komentuar procesin e votimit në Dibër, analisti i njohur tha se “ishin bërë gati që Shqipëria të ishte me dhunë, projekte të tilla janë plot dhe që janë dëshmuar”.
“Por Dibra është një qark me kualitete të veçantë, me zakone dhe burrëri të veçantë, e cila reflekton në një lloj stabiliteti. Ka njerëz të varfër që shesin votën, ka njerëz që nuk mendojnë gjatë, që mashtrohen. Por kjo kalon vetëm duke u reformuar në drejtësi. E reforma në drejtësi është ajo që na çon të votojmë në normalitet”, vijoi Çupi.
Më pas ai shtoi se këto para që jepen në kohë zgjedhjes, janë tonat, që janë vjedhur nga xhepat tanë dhe kanë shkuar te Meta, Monika, Saliu apo të tjerët.
Analisti tha se sot është gjithë shpresë se qytetaria shqiptare shkon në drejtimin e duhur.