“LSI, një virus”/ Frikë për incidente në zgjedhje? Rama paralajmëron: Pres çdo gjë, Meta është jashtë kapakut të mendjes

Kryeministri Edi Rama nuk mohon mundësinë që zgjedhjet e 25 prillit të shoqërohen me incidente.

Duke marrë shkas nga kërcënimet e Ilir Metës për “prerje dore” dhe tonet e tij të larta, Rama tha në në “Vizion Plus” se nga ai mund të presësh gjithçka.

Kjo sepse, sipas kryetarit të mazhorancës, presidenti ka dalë nga vetja.

“Nuk shoh filxhan të them të drejtën, por mendoj që Ilir Meta është totalisht jashtë vetes, jashtë funksionit të presidentit, totalisht jashtë kapakut të mendjes, çdo gjë mund të presësh. Zgjedhjet në Shqipëri deri tani nuk kanë asnjë shqetësim. Fushata elektorale deri tani është e civilizuar, duke përjashtuar Metën dhe Saliun. Duan ta mbajnë Shqipërinë në qerthullin e mendjes së tyre, që është e mjegulluar për shkak të reformës në drejtësi.”

Kryeministri Edi Rama e krahasoi LSI me një virus, që pranoi se ka infektuar edhe socialistët.

Krahasimin, Rama e bëri duke patur parasysh se partia e Monika Kryemadhit kërkon vota në këmbim të vendit të punës në shtet. Për qytetarët që do ta votëbesojnë LSI më 25 prill, kreu i PS tha se do të tradhtojnë të ardhmen.

“LSI është një mollë e kalbur që ka prekur edhe mollët e tjera. Edhe PS është e prekur nga virusi i LSI, edhe PD. Sepse është një lloj virusi që infekton zinxhir njerëzit sepse ofron një model që është modeli më i keq i mundshëm, por që është atraktiv, për të kapur një vend pune në shtet. Ka krijuar brenda PS dhe PD një sëmundje shumë të rrezikshme, që përkthehet në rezistencë të brendshme ndaj meritokracisë. Sikur t’ju them konfliktet e brendshme në PS për moscënimin e meritokracisë në rekrutimin e mësuesve, infermierëve, gjë që u bë me imponim nga lart. Ky është modeli i LSI, si qelizat e kancerit u rrit, duke shtrydhur e shtrydhur pushtetin. Kam parasysh mekanizmin, flas për një sistem. PS është afektuar nga kjo sëmundje, shumë keq, në një periudhë kohe të mëparshme sidomos. Unë nuk e fus dot një mësuese në punë me urdhër. Mund ta besoni, mund të mos e besoni! LSI është shëmbëlltyra e degradimit, e kalbëzimit. Të mendosh sot të votosh për LSI, është vërtetë të tradhtosh realisht të ardhmen tënde dhe të fëmijëve të tu. Të votosh që molla e kalbur të mbahet në arkë dhe të kalbë edhe të tjerat”, tha Edi Rama

Back to top button
LAJMET E FUNDIT