Meta si “gazetar terreni” poston foto nga rruga e shembur në Borsh: Kryevepra e babëzisë

Presidenti Ilir Meta ka nisur sot ditën duke u kthyer në një “gazetar terreni” duke postuar në faqen sociale foto të ndryshme nga Saranda. Rrugës për në Sarandë, kreu i shtetit është ndalur në Borsh pikërisht në rrugën ku është shembur dhe që ende sot e kësaj dite nuk është rregulluar.
“Në një nga kryeveprat e babëzisë. 25 Prilli, referendum kundër korrupsionit! Llogaridhënia nis, që në mëngjesin e 26 Prillit!”, shkruan Meta me fotot e postuar në faqen sociale.
Rruga u shemb në janar të këtij viti dhe që ende sot e kësaj dite nuk është rregulluar. Përgjegjëse për mbajtjen e kësaj rruge është kompania “Salillari”.
Rruga është çarë në mes për shkak se muret mbajtëse të saj janë zhvendosur. Kjo kompani më një janar të vitit 2017 kishte firmosur kontratën 5-vjeçare me Autoritetin Rrugor Shqiptar për mirëmbajtjen dhe rehabilitimin e akseve nacionale në jug të vendit. “Salillari” u shpall fitues i tenderit duke ofruar rreth 13.7 milionë euro me TVSH për shërbimin.
Por kjo kompani pretendon se kontrata parashikon mirëmbajtjen dhe jo ndërhyrje në rast të shembjes së saj.