‘Mos u çudisni nëse i shihni tapë tek varri i Ismail Qemalit’/ Rama ironizon Metën dhe Leskajn: Presidenti do dekorojë një parukiere

Nga Vlora ku zhvilloi një takim elektoral, kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama u tha qytetarëve se nuk do asnjë votë për vete, por vetëm për Partinë Socialiste, e cila mban numrin 12.
Kryeministri u tha qytetarëve të Vlorës se nëse vinin në diskutim numrin 12 është turp.
“Nuk dua asnjë votë për veten time dua votë për numrin 12.
Katër vite herë 3 mandate bëjnë 12. Numri 12 është numri 12 është numri që përcakton nëse jemi me Vlorën apo me të shkuarën e tmerrshme për Vlorës. Nuk po flas me të shkuarën e 1997. Mos shkoni pas berihajt se nuk është tifozkllëk ky dhe është turp që të vithet në diskutim numri 12 këtu. Po them këtu jo në vendet të tjerë. Atë këngën “Vlora, Vlora” që këndoni ju, ma këndojnë mua. Të gjithë thonë na bëni si Vlora. Kë do të votoni ju Leskon, apo të tjetrin që ka shpallur kandidaturën. Se e dinë mirë se çfarë do të thonë demokratët për LSI-në këtu“, shtoi Rama..
Rama nuk la pa sulmuar presidentin Meta dhe kandidatin e PD, Bujar Leskaj.
“Ilir Meta është bërë bashkë me Leskon dhe vijnë vërdallë të ditën dhe dalin natën. Erdhi në Vlorë i tha ato dekoratat, se mua më thanë që do i jepte dekorata një parukiere këtu në Vlorë“, tha Rama duke shtuar se Meta do të dekorojë dhe Ismail Qemalin dhe Skënderbeun.
“Mbani mend, po qëndroi me Leskon dhe nja 10 ditë do dekorojë Ismail Qemalin. Mos u çudisni po i patë të dy tapë tek varri i Ismail Qemalit duke i dhënë dekoratë. Skënderbeun nuk e dekorojnë dot pa praninë e Saliut.”, tha Rama.