Nga zgjedhjet dhe drejtësia, tek stërvitja ushtarake/ Ambasada e SHBA zbardh ‘vizitën virtuale’ të Palmer në Shqipëri

Ambasada e SHBA ka dhënë detaje rreth “vizitës virtuale” të zv/ndihmës sekretarit amerikan të Shtetit, Mattheë Palmer në Shqipëri.

Përmes një reagimi, Ambasada thekson se lideret politikë me të cilët foli Palmer; Meta, Rama e Basha, rikonfirmuan përkushtimin për të zgjeruar bashkëpunimin dy palësh për demokracinë, mbrojtjen e biznesin.

“Me secilin prej udhëheqësve, Zv.Ndihmës Sekretari Palmer theksoi rëndësinë e roleve të tyre përkatëse, përfshirë edhe rolet institucionale të Presidencës dhe Kryeministrisë ashtu siç përcaktohen në Kushtetutë.”, thuhet në njoftim.

Ambasada e SHBA thotë se udhëheqësit politikë janë përgjegjës për t’u siguruar që zgjedhjet e ardhshme të jenë të lira e të ndershme, me rregulla të paanshme, transparente dhe në kohë.

NJOFTIMI NGA AMBASADA E SHBA

Gjatë një “vizite virtuale” në Shqipëri në 6 Prill, Zv. Ndihmës Sekretari i Shtetit të SHBA Matthew Palmer u takua me Presidentin Meta, Kryeministrin Rama dhe Kryetarin e PD-së Basha, për të konfirmuar rëndësinë e marrëdhënieve SHBA-Shqipëri ndërsa festojmë 30-vjetorin e rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike.

Ata rikonfirmuan përkushtimin tonë të përbashkët për të zgjeruar bashkëpunimin dypalësh në fushën e demokracisë, mbrojtjes dhe biznesit. Me secilin prej udhëheqësve, Zv.Ndihmës Sekretari Palmer theksoi rëndësinë e roleve të tyre përkatëse, përfshirë edhe rolet institucionale të Presidencës dhe Kryeministrisë ashtu siç përcaktohen në Kushtetutë.

Institucionet dhe udhëheqësit politikë mbartin përgjegjësinë për t’u siguruar që zgjedhjet e ardhshme të jenë të lira dhe të ndershme, me rregulla që janë të paanshme, transparente dhe në kohë. Zv.Ndihmës Sekretari Palmer gjithashtu përforcoi mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për zbatimin e reformës në drejtësi, duke vërejtur përparimin domethënës që është bërë gjatë vitit të fundit. Gjatë një tryeze të rrumbullakët me përfaqësues nga institucionet e drejtësisë, shoqëria civile dhe media, ai i nxiti këta “Kampionë të Reformës në Drejtësi” në përpjekjet e tyre, në mënyrë që populli shqiptar të ketë drejtësi të vërtetë.

Në fund, Zv. Ndihmës Sekretari Palmer theksoi rëndësinë strategjike të stërvitjes ushtarake Defender 21, e cila do të jetë stërvitja më e madhe ushtarake shumëpalëshe që zhvillohet në Ballkanin Perëndimor. Zv.Ndihmës Sekretari Palmer dhe zyrtarë të tjerë amerikanë presin me kënaqësi që të rifillojnë vizitat fizikisht sapo rrethanat t’i lejojnë ato.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT