Qindra serbë marrin rrogë në Kosovë, pa punuar fare

Që nga fundi i vitit 2016 e deri më sot, mbi 300 punëtorë serbë nga veriu i Kosovës vazhdojnë të marrin paga nga buxheti i Kosovës, por nuk janë të pranishëm në vendin e tyre të punës, në baza ditore. Ata ishin integruar në institucionet e Kosovës pas shpërbërjes së strukturave paralele serbe në katër komuna të veriut të Kosovës, të banuara me shumicë serbe.

Kështu deklaron ish-ministrja për Dialog e Kosovës, Edita Tahiri.

Zyrtarët komunalë të komunave Zveçan dhe Mitrovicë e Veriut, thonë se për shkak të pandemisë, punëtorët që janë të punësuar në komunë, kryesisht punojnë nga shtëpia. Por, ata nuk e kanë bërë krejtësisht të qartë nëse të punësuarit, për të cilët është interesuar Radio Evropa e Lirë, kanë qenë të pranishëm në vendet e tyre të punës para pandemisë.

Problematikën e këtyre të punësuarve, Qeveria e Kosovës e cilëson si “çështje të trashëguar”.

Marrëveshja ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Bruksel, e marsit të vitit 2015, për shpërbërjen e strukturave paralele serbe në komunat e veriut të Kosovës, të banuara me shumicë serbe, si dhe integrimi i pjesëtarëve të komunitetit serb në institucionet e Kosovës, kishte nisur fillimisht me sukses. Strukturat paralele serbe ishin shpërbërë në fushën e policisë, doganave, gjykatave dhe ishin integruar në po të njëjtat fusha në sistemin e Kosovës, raporton Radio Evropa e Lirë.

Por, shpërbërja e “Mbrojtjes Civile”, e cila kishte mbi 700 anëtarë, ishte më problematike. Megjithatë, rreth 500 prej tyre, gradualisht ishin punësuar në 23 institucione të Kosovës, të cilat përfshinin dikasteret qeveritare, por edhe agjencitë e shtetit të Kosovës që kanë veprimtari lokale.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT