Rama “i heq vizën” LSI-së, por nuk e mohon një koalicion me PD-në. Si do veprojë nëse humb zgjedhjet

Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se do të largohet nga politika aktive nëse shqiptarët nuk e rizgjedhin për kryeministër.
Gjatë një interviste për news 24, Rama la të kuptohet se do japë dorëheqjen. “Nëse shqiptarët do të refuzonin që t’i jepnin atij një mandat të tretë, nuk do të rrinte të priste që qytetarët të korrigjonin gabimin e tyre”, tha kreu i qeverisë.
Kryeministri sulmoi edhe krydemokratin Basha, i cili sipas tij “do humbë dhe do vazhdojë të bëjë sikur ka fituar”.
“Kjo është shumë pak, por shumë e sigurt që nëse shqiptarët do të refuzonin të më jepnin mua mandatin e tretë unë nuk do rrija të prisja që shqiptarët të korrigjonin gabimin e tyre siç rri Saliu që megjithëse i humbi zgjedhjet, megjithëse dha dorëheqjen vazhdon tërheq këmbën zvarrë sepse është i bindur që shqiptarët kanë bërë një gabim të madh që nuk i dhanë mandatin e tretë dhe nuk lë gur pa luajtur, shejtanllëk pa bërë dhe pocaqi për të marrë hak dhe për të kthyer Partinë Demokratike në pushtet përmes dhëndrit politik.
Gjëja që unë e kam thënë shumë qartë dhe e kam bindje është që në momentin që unë nuk jam më në këtë detyrë unë thjesht jam një person që natyrisht do t’i shërbej Partisë Socialiste por në asnjë mënyrë duke bërë atë që s’më takon. Dhe ajo që s’më takon është të bëjë atë që bën Saliu. Në asnjë mënyrë jo, kurrë! Ndërsa Luli nuk ta jep atë përgjigje sepse Luli do humbi dhe do vazhdojë të bëjë sikur ka fituar”, tha Rama.
Rama tha se me LSI-në në asnjë rast dhe për asnjë arsye nuk do të bënte koalicion, ndërkohë që nuk e përmendi PD-në.
Z. Rama ju kërkoni mandatin e tretë pa koalicion. Po nëse rezultati i zgjedhjeve dikton diçka tjetër, i përjashtoni koalicionet paszgjedhore, me LSI apo me PD?
Ata kanë bërë një kontratë parazgjedhore dhe pastaj janë future në zgjedhje veç e veç. Kjo është e pandodhur, është diçka shumë domethënëse. Kontrata e tyre parazgjedhore është në fakt një kontratë që noterizon pengmarrjen e Lulit nga Monika për llogari të Ilirit dhe të Saliut. Iliri dhe Saliu duan me çdo kusht që të garantohen që Luli nuk ju del nga duart. Monika është garantja e kësaj nevoje përmes një kontratë e cila ka edhe një pjesë të fshehtë. Në pjesën e fshehtë janë ndarë edhe detyrat dhe kapja prej fyti e Lulit është bërë shumë e strukturuar.
Por thënë kjo, Partia Socialiste nuk do ketë nevojë të kërkojë ndihmë për të formuar qeverinë sepse PS do të marrë një rezultat që nuk do të jetë asesi më i ulët sesa rezultati që mori në 2017-n. Madje do të jetë më i lartë se rezultati që mori në 2017-n, nuk ka asnjë mundësi që Partia Socialiste të bjeri nën numrin e nevojshëm për të formuar qeverinë sepse nuk ka ku bie. Janë numra, nuk është çështje opinionesh dhe ky është një spekulim. Natyrisht që po, do të ishte shumë e rëndësishme dhe unë do të bëj gjithë përpjekjet e mia që klima e marrëdhënieve mes palëve të ndryshojë sepse nuk mund të vazhdohet kështu.
Po nëse do të duhej, do të anonit më shumë nga PD apo LSI?
Kjo është një pyetje që unë nuk besoj se ka dyshim. Me LSI-në asnjëherë, në asnjë rast, për asnjë arsye.