‘Shqipëria do i paguajë Becchettit 110 mln euro’, Rama: Beteja vazhdon, gëzimi sharlatanesk i Presidentit i neveritshëm

Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas publikimit të një lajmi nga Zëri i Amerikës ku thuhet se Shqipëria humbi përfundimisht gjyqin me sipërmarrësin italian Francesco Becchetti, të cilit shteti shqiptar detyrohet t’i paguajë 110 milionë euro.
Kreu i qeverisë thotë se beteja me sipërmarrësin italian nuk ka përfunduar, ndërsa sulmon ashpër presidentin Meta dhe zërat nga PD, të cilët sipas tij iu gëzuan vendimit të padrejtë të arbitrazhit.
“Shqipëria ka fituar tre nga katër gjyqet ndërkombëtare ndaj këtij marifetçiu dhe beteja vazhdon!”, thotë Rama, edhe pse sipas lajmit të raportuar nga VOA, vendimi ishte final.
“Gëzimi i Ilir Metës dhe i Lulepartisë për vendimin e padrejtë të arbitrazhit në favor të një individi që kërkohet nga drejtësia shqiptare është sa i neveritshëm, aq dhe i parakohshëm! Shqipëria ka fituar tre nga katër gjyqet ndërkombëtare ndaj këtij marifetçiu dhe beteja vazhdon!
Gëzimi sharlatanesk i Presidentit mendjehumbur dhe i partisë që për pushtet po infekton përditë shqiptarët, do të zgjasë pak dhe ata do të humbasin, jo Shqipëria! E cila siç po fiton mbi Armikun e Padukshëm, do të fitojë edhe mbi Marifetçiun e Paskrupullt!”, shkruan Rama.
Gëzimi sharlatanesk i Presidentit mendjehumbur dhe i partisë që për pushtet po infekton përditë shqiptarët, do të zgjasë pak dhe ata do të humbasin, jo Shqipëria! E cila siç po fiton mbi Armikun e Padukshëm, do të fitojë edhe mbi Marifetçiun e Paskrupullt!
— Edi Rama (@ediramaal) April 2, 2021
Çfarë deklaroi Meta
Menjëherë pas publikimit të lajmit, presidenti Ilit Meta theksoi se vetëm për tekat dhe kapriçot personale të kryeministrit Edi Rama, tashmë Shqipëria është e detyruar të paguajë 110 milion euro.
Kreu i shtetit i bëri thirrje SPAK-ut që të nisë urgjentisht hetimet penale për këtë dëm të madh ekonomik të shkaktuar shtetit dhe që do paguhet fatkeqësisht me paratë e të gjithë taksapaguesve shqiptarë.
“E kam paralajmëruar prej kohësh Qeverinë ende në detyrë të heqë dorë nga arroganca dhe të tërhiqet nga çdo vendim abuziv e jashtë procedurave ligjore ndaj investitorëve të huaj në vendin tonë.
Vetëm për tekat dhe kapriçot personale të Kryeministrit, i cili e urren edhe lirinë e medias, tashmë Shqipëria është e detyruar të paguajë 110 milion euro.
Skandali merr përmasa më të mëdha, për shkak se Avokatura e Shtetit e ka gënjyer Presidentin e Republikës duke pretenduar se nuk e ka humbur gjyqin me kompaninë në fjalë, madje duke fshehur informacion.
Në këto kushte, i bëj thirrje Prokurorisë së Posaçme Antikorrupsion (SPAK), të nisë urgjentisht hetimet penale për këtë dëm të madh ekonomik të shkaktuar shtetit dhe që do paguhet fatkeqësisht me paratë e të gjithë taksapaguesve shqiptarë.
Është koha, që Drejtësia të vendosë para përgjegjësisë ligjore, të gjithë shkaktarët e këtij dëmi ekonomik, edhe për të parandaluar në të ardhmen dëme më të mëdha për Buxhetin e Shtetit dhe taksapaguesit shqiptarë, për shkak të shpërdorimit të detyrës dhe abuzimit me pushtetin të zyrtarëve të lartë.”, shkruante Meta. / Gazeta SHQIP