Situata me pandeminë/ Kthesa në spitale, tek COVID4 nuk ka asnjë pacient të shtruar

Situata epidemiologjike në Shqipëri paraqitet e qëndrueshme, ndërsa në një prej spitaleve covid nuk ka asnjë pacient të shtruar. Teksa zbuloi masat e reja të Komitetit të ekspertëve, Manastirliu tha se në spitalin covid 4 nuk ka asnjë pacient të shtruar.

Sa i takon përqindjes së pozitivitetit të rasteve të reja, Manastirliu tha se gjatë javëve të fundit ka rënë deri në 12%.

Aktualisht niveli i shfrytëzimit të shtratit është nën 30%, ndërsa terapia intensive nën 13%

“Situata epidemiologjike paraqitet e qëndrueshme me tendencë në rënie të incidencës dhe kjo është vënë re nga java e tretë e marsit dhe në vijim. Rënie është vënë re edhe sa i takon përqindjes së pozitivitetit të rasteve të reja ku gjatë javëve të fundit ka rënë deri në 12%. Rënia shënohet edhe në shtrimet në spitale. Prej 4 ditësh nuk ka pacientë në Spitalin COVID 4, i cili do vijoj të jetë në gatishmëri, por që pa dyshim është një tregues pozitiv i situatës në spitale. Aktualisht niveli i shfrytëzimit të shtratit është nën 30%, ndërsa terapia intensive nën 13%. Më duhet të shtoj se kemi patur një tjetër arsye që na ka motivuar në vendimin tonë. Lehtësimi i agjërimit për besimtarët myslimanë në muajin e shenjtë të Ramazanit që nis në datën 13 prill, duke uruar një muaj sa më të lehtë dhe të mbarë dëshiroj të përsëris thirrjen time që të mbajmë parasysh dhe mos neglizhojmë asnjë moment distancimi, maskën, higjenën”, tha ministrja.

Duke folur për procesin e vaksinimit Manastirliu tha se sot ka vijuar vaksinimi i moshave mbi 65 vjeç dhe ditë e hënë vijon mbi 60 vjeç. Që prej fillimit të vaksinimit antiCOVID janë kryer në total 256,848 vaksinime. Vendimet e Komitetit Teknik të Ekspertëve do të jenë në fuqi për 2 javët e ardhshme.

Sot, Komiteti vendosi të shtyjë orën policore nga ora 20:00 në 22:00 për qytetarët dhe gjithashtu për baret dhe lokalet, si dhe njoftoi hapjen e fluturimeve me Britaninë e Madhe./Gazeta SHQIP

Back to top button
LAJMET E FUNDIT