“Tani gjendja është më e rënduar, sot stresi është real”, avokati i kontrollorëve tregon çfarë po ndodh me ta

Kontrollorët e aeroportit të Rinasit janë rikthyer në punë, përveç 3 prej tyre që janë në gjendje arresti.
Gjykata penale e Tiranës la në burg Armando Fezgën dhe Muhin Mezinin, ndërsa Flora Ndrecën e la në arrest shtëpie për shkak se ka fëmijë të mitur.
Avokati i kontrollorëve, Rezart Kthupi, i ftuar në “Shqipëria live” thotë se tashmë, kontrollorët mund të jenë vërtet të paaftë për të ushtruar profesionin dhe kjo është serioze.
“Tani gjendja është më e rënduar, sot stresi është real. Në gjykimin tim, ata duhet t’i nënshtrohen një vlerësimi psikologjik. U mbajtën një natë të tërë në komisariat, përjetuan një presion të madh.
Të gjithë janë rikthyer në punë, përveç atyre që kanë raporte për paaftësi. Nëse bëhet një testim, do të thosha që një pjesë e konsiderueshme e kontrollorëve kanë shqetësime. Ajo është një punë që kërkon një vëmendje shumë të lartë, nuk lejon shpërqendrime. Një pjesë e kontrollorëve vijon të jetë nën hetim dhe kjo i shton shqetësimet”, u shpreh avokati.