Vetëvendosja aksion fushate në Shqipëri, perplasët me policinë. Ndalohen 33 persona, bllokuan rrugën e Kombit

33 shtetas janë shoqëruar në polici, pasi dyshohet se kanë organizuar protestën e paligjshme në Thirrë të Mirditës.
Ata kishin dalë në protestë për kundërshtuar ndërtimin e HEC-it. Kjo protestë u mbështet nga lëvizja Vetëvendosje në Shqipëri dhe në Kosovë, e cila kontestoi ndërtimin e HEC.
“Këta shtetas kanë protestuar në mënyrë të paligjshme në afërsi të tunelit të Kalimashit, në fshatin Thirrë, Mirditë duke bllokuar lëvizjen e mjeteve në aksin Milot-Morinë, si dhe nuk i janë bindur urdhrit të punonjësit të Policisë për të zbllokuar qarkullimin e automjeteve.
Materialet në ngarkim të tyre do t’i kalojnë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Lezhë, për veprime të mëtejshme për veprat penale “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime dhe manifestime të paligjshme”, Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit ” dhe ” Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të Policisë së rendit publik”, thuhet në njoftimin e policisë.
Ndërsa Vetëvendosja në Shqipëri me anë të një njoftimi në Shqipëri bën të ditur se “Në këtë protestë paqësore, me ftesën e banorëve të fshatit kanë marrë pjesë edhe disa aktivistë, bashkë me kandidatin e pavarur për Qarkun e Lezhës, Iliaz Shehun. Bashkë me banorët, në mënyrë simbolike ata u ulën për disa minuta në vendin ku mbahej protesta, për të tërhequr vëmendjen e publikut për një kauzë kaq të rëndësishme për të gjithë Shqipërinë. Por, pas përfundimit të protestës, pasi janë nisur me automjete drejt Lezhës, policia ka ndaluar disa aktivistë, dhe i ka shoqëruar drejt komisariatit në Lezhë. Ky veprim policor është tërësisht në shkelje të së drejtës të protestës, e cila është e drejtë njerëzore, demokratike e kushtetuese”..
“Kërkojmë urgjentisht lirimin e aktivistëve Sindi Osmani, Agnesa Kastrati, Miranda Marku, Emanuela Kamshi, Martin Paci, Merita Marku, Luigj Vokrri, Abi Shehu, Ester Celami, Fatime Paja, Pjetër Gjergji, Domeniko Lipi e të tjerë që janë shoqëruar e që ende nuk kemi konfirmim për emrat. Abuzimi që pushtetarët dhe pushtuesit e etur për fitim të padrejtë po kryejnë ndaj mjedisit, trashëgimisë kulturore, hapësirave publike, pronës së përbashkët, të drejtave qytetare e punëtore dhe vetë demokracisë e shtetit tonë, krijon vazhdimisht shkas për protesta, e shtypja policore e protestave e bën Shqipërinë të hedhë hapa pas në historinë e saj”, thuhet në reagimin e VV-së.
Aktivistë të Lëvizjes Vetëvendosje janë mbledhur në protestë para komisariatit në Lezhë, duke kërkuar lirimin e tyre.
Njoftimi i policisë:
Organizuan grumbullim dhe manifestim të paligjshëm, penguan qarkullimin e mjeteve të transportit dhe nuk iu bindën urdhrit të punonjësve të Policisë, shoqërohen në Komisariatin e Policisë 33 shtetas.
Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Lezhë dhe Mirditë, në përfundim të veprimeve të kryera në lidhje me protestën e paligjshme të zhvilluar ditën e sotme, në fshatin Thirrë, Njësia Administrative Fanë, Mirditë , kanë filluar procedimin penal në gjendje të lirë ndaj 33 shtetasve.
Këta shtetas kanë protestuar në mënyrë të paligjshme në afërsi të tunelit të Kalimashit, në fshatin Thirrë, Mirditë duke bllokuar lëvizjen e mjeteve në aksin Milot-Morinë, si dhe nuk i janë bindur urdhrit të punonjësit të Policisë për të zbllokuar qarkullimin e automjeteve.
Materialet në ngarkim të tyre do t’i kalojnë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Lezhë, për veprime të mëtejshme për veprat penale “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime dhe manifestime të paligjshme”, Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit ” dhe ” Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të Policisë së rendit publik”.