100 milionë lekë për të promovuar turizmin, ekspertja: Nuk përcaktohet çfarë do bëhet konkretisht më këto para

Këtë vit do të mund të kemi një sezonin turistik më pranë normalitetit, kufizimet pritet të reduktohen dhe njerëzit të shijojnë në liri pushimet e tyre. Ky në fakt ka qenë premtimi i zyrtarëve të lartë, i mbështetur edhe nga deklaratat e ekspertëve të shëndetësisë.
E duke qenë në prag të sezonit veror, i cili ka nisur vende-vende edhe si pasojë e temperaturave të favorshme javët e fundit, autoritetet kanë nisur nga puna për promovimin e Shqipërisë turistike, përtej kufijve.
Këshilli i Ministrave me propozim të Ministrisë së Turizmit ka vendosur të shtojë një fond prej 100 milionë lekësh në programin “Zhvillimi i turizmit”, për të promovuar vendin.
Sipas vendimit me anë të këtij fondi do të realizohet promovimi i Shqipërisë në vendet ndërkombëtare si një destinacion mikpritës “COVID FREE”.
E ftuar në “Wake Up”, ekspertja e turizmit, Flora Xhemani Baba theksoi se në vendim nuk përcaktohet se si do shpenzohen këto para me qëllim promovimin e një Shqipërie të sigurt.
“Që do të jetë një sezon më i mirë se i vjetshmi, kjo është e sigurt. Fakti që gjithë tremujori vjet i ka takuar pandemisë dhe sivjet ka qenë një tremujor aktiv, me njerëz që punojnë, bregdet të hapur, me resorte të hapura gjithashtu.
Fundjava bregdetin e gjen plot, që do të thotë ka një shpresë se gjithçka do ecë mirë për sa i përket frekuentueshmërisë.
Po ta lidhim me vendimin që ka marrë qeveria, për të shpenzuar 100 milionë lekë të reja, ka disa pyetje.
A është e duhur kjo strategji? A duhet të shpenzohet ky fond dhe për çfarë. Unë e pashë vendimin, por nuk pashë detaje, se çfarë do bëhet konkretisht me këto para për fushatën.
Mendoj personalisht se për fushatën mund të bëhet, thjesht një përditësim i të dhënave në faqen ‘visit albania’.
Mund të bëhet një spot dhe të hidhet në internet pa qenë nevoja për të shpenzuar që nuk dihen ende si do shpenzohen”, tha ekspertja.