A do të hiqet ora policore? Ja si përgjigjet ministrja Manastirliu

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manstirliu, e ftuar në në “News 24” foli për heqjen e orës policore dhe lehtësimin e masave të tjera.
Ministrja tha se është e vërtetë që numri i infektimeve ka rënë, por ama, sipas saj, kujdesi duhet të jetë ende i shtuar pasi virusi ndodhet mes nesh.
Sipas ministres, vendimet për heqjen e orës policore dhe lehtësimin e masave të tjera, merret nga Komiteti Teknik i Ekspertëve, të cilët, monitorojnë në terren dhe nga afër çdo ditë të dhënat epidemiologjike në vend.
“Evropa pas një kohe të gjatë tani është duke u hapur, për rifillimit të aktiviteteve. Nuk ka pasur izolim tërësor të aktiviteteve. Le të besojmë te Komiteti ynë i Ekspertëve. Mund të kemi lehtësim të masave nëse situata vijon e tillë.
Por duhet të jemi të kujdesshëm në lirimin e menjëhershëm të masave, sepse sjell rritje të infektimeve. Po futemi në sezonin turistik dhe Shqipëria nuk ka asnjë kusht për turistët që të futen. Sot, në krahasim me vendet e tjera, ka tregues epidemiologjik të përmirësuar, por kujdesi duhet të vazhdojë,” tha ministrja.