A është Sali Berisha i pari nga ‘peshqit e mëdhenj’? Mesazhi i Yuri Kim për ish-kryeministrin

Duke iu referuar vendimit për shpalljen “non grata” të ish-Kryeministri Sali Berisha dhe dënimit me burg të ish-Kryeprokurorit Adriatik Llalla, ambasadorja e SHBA në Tiranë, Yuri Kim tha se dy ditët e fundit kemi parë zhvillime domethënëse
“Keni parë zhvillime domethënëse dje dhe një ditë më parë, të cilat duhet të vazhdojnë. Këto janë zhvillime pozitive të cilat duhet të vazhdojnë”.
Diplomatja amerikane, e pyetur nëse ka rol në vendimin e DASH për shpalljen “non grata” të Sali Berishës, tha se “nuk kam asgjë për të shtuar përveçse asaj që ka thënë sekretari i shtetit”.
Por e pyetur nga gazetarët, nëse Sali Berisha i pari nga “peshqit e mëdhenj”, ajo iu përgjigj, me një mesazh të fortë, thelbi i së cilit ishte se ditët e pandëshkueshmërisë po marrin fund.
“Mesazhi është ky Shqipëria po ndryshon, Shqipëria është anëtare NATO-s Shqipëria do të jetë në BE, është mike dhe aleate e SHBA-ve. Shteti ligjor duhet të prevalojë. Duhet të jetë një vend i pastër dhe që të vijë kjo, askush nuk mund të jetë mbi ligjin. Ditët e pandëshkueshmërisë duhet të përfundojnë dhe të gjithë duhet të punojmë për këtë”, tha Yuri Kim.
Yuri Kim ka thënë se nuk ia ka idenë për një padi të ngritur nga Berisha kundër Blinken ku ankimohet vendimi i DASH për shpalljen e tij “non grata”.
“ Nuk ia kam idenë se çfarë po flisni” tha ambasadorja./Gazeta SHQIP