Akuzat e PD për manipulim të zgjedhjeve/ Shpërthen Kryebashkiaku: Syleshë, po helmoni njerëzit kot

Kryebashkiaku i PS në Lezhë, Pjerin Ndreu i ka cilësuar akuzat e opozitës për blerje votash si të pavarteta, ndërsa i quan denoncuesit si syleshë.
Sipas tij, opozita po çudit me përralla dhe fantazi idiote njerëzit, ndërsa thotë me vendosmëri se nuk ka asnjë rast të manipulimit të zgjedhjeve
“Të gjithë PD-isteve ju qenkan blerë votat! Duke u vetëdeklaruar më së paku si syleshë, pasi deri kur u hapen kutitë nuk kishin parë asgjë, janë vënë në garë të shfrenuar kush e kush me tregu histori më të trishtë të gjoja manipulimeve zgjedhore!
Dhe ndërsa çudisin dynjanë me përralla e fantazi idiote, nuk thonë qoftë një rast konkret, të një akti të denoncuar.
Emrat në tym, pa fakte, por me insinuata dhe opinione, janë shashka që synojnë të helmojnë dynjanë, por s’kanë asnjë bazë ligjore dhe nuk i hyjnë në punë as dreqit!
Kanë tërë jetën që bëjnë petulla me ujë, me një politikë bojatisje për këdo që është kundërshtar i tyre, ndërsa këto vetë qenkan engjujt që mezi po i presim”, shkruan Ndreu.
Kujtojmë se Partia Demokratike kërkon shpalljen e pavlefshëm të rezultatit të zgjedhjeve të 25 prillit në 9 qarqe nga 12 gjithsej. Eshtë fjala për Tiranën, Durrësin, Elbasanin, Fierin, Korçën, Vlorën, Beratin, Gjirokastrën e Shkodrën. E vendosur për të çuar deri në fund atë që e cilëson “betejë për drejtësi”, Selia Blu ankimoi sot rezultatin për pjesën më të madhe të vendit, me përjashtim të Kukësit, Dibrës e Lezhës.