“Akuzat për vjedhje votash, alibi e dobët e Bashës”, Nishani: Me Bashën Rama fiton edhe në 2025-ën!

Bujar Nishani, pjesë e lëvizjes dhe zërave brenda Partisë Demokratike që kërkojnë largimin e Lulzim Bashës e cilëson alibi të dobët akuzën e kreut të PD-së se zgjedhjet e 25 prillit u manipuluan dhe u blenë nga ana e Partisë Socialiste.

“Alibi e dobët për t’i ikur përgjegjësisë dhe hapjes së PD. Ky proces, vërtetimi se janë vjedhur zgjedhjet, duhet të vijojë paralelisht me hapjen e partisë. Nëse nuk largohet, do dëmtojë personalitetin e vet, Basha e ka mbyllur ciklin për të qenë një lider politik, u përpoq prej 8 vitesh, ka pasur mbështetjen maksimale dhe nuk e ka realizuar misionin e tij, nuk arriti që të marrë qeverisjen dhe të kryejë programin”, deklaroi Nishani në një intervistë për Report TV.

Ish-Presidenti dhe ish-ministri i Brendshëm i paralajmëron se nëse Basha nuk largohet nga PD, atëherë Rama do të fitojë edhe zgjedhjet e 2025-ës.

“Nëse qëndron në këtë pozicion mund ta mbajë vulën apo çelësin e PD, por do dëmtohej edhe më shumë në aspektin personal, por do e zvogëlojë edhe më shumë PD, do rrezikojë rrudhjen e saj dhe Rama do të fitojë edhe në 2025 nëse PD nuk reformohet”, thotë ai.

Kusht për reformimin, sipas Nishanit, është dorëheqja e kryetarit të partisë.

“Dorëheqja është një akt politik perëndimor dhe nuk ka vetëm vlerën e perceptimit të sjelljes me integritet, por edhe çlirimi nga ngërçi psikologjik që ka struktura dhe opinioni i PD-së. Duhet të sillesh europian duke filluar nga vetja, nuk mund t’u kërkosh të tjerëve të sillen europianë dhe vetë të sillesh sipas modelit afrikan”, vijoi Nishani.

Në lidhje me nismën e mazhorancës për shkarkimin e Presidentit Ilir Meta, Bujar Nishani thotë se kjo nismë do të dështojë, pasi sipas tij, Presidenti nuk ka kryer asnjë shkelje të rëndë të Kushtetutës.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT