Ambasada shqiptare në Bernë vlerëson ndihmën e diasporës për ruajtjen e gjuhës shqipe: Akt i lëvdueshëm për promovimin e vlerave

Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Bernë, Zvicër ka vlerësuar kontributin e dhënë nga vendet e diasporës për promovimin e gjuhës shqipe.
Përmes një postimi në rrjetet sociale ambasada ka përgëzuar propozimin e kryetarit të KKAD-së, Vaxhid Sejdiut, për unifikimin e shkollave shqipe si domosdoshmëri për bashkërendimin e përpjekjeve në interes të edukimit dhe mësimit të fëmijëve shqiptarë të diasporës.
Gjithashtu shton se do të jenë mbështetësit kryesor në nisma të tilla të cilat ndihmojnë në ruajtjen dhe përhapjen e gjuhës dhe kulturës shqiptare.
“Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Bernë, vlerëson përpjekjet dhe kontributin e diasporës për ruajtjen dhe promovimin e gjuhës shqipe dhe mësimit të saj.
Ambasada e konsideron përpjekjen e Këshillit Koordinues të Arsimtarëve në Diasporë (KKAD), si një akt të lëvdueshëm dhe të përgjegjshëm kombëtar në interes të diasporës dhe promovimit te vlerave, gjuhës e kulturës shqiptare. Ambasada e Republikës se Shqipërisë, e çmon propozimin e kryetarit të KKAD-së, z.Vaxhid Sejdiut, për unifikimin e shkollave shqipe si domosdoshmëri për bashkërendimin e përpjekjeve në interes të edukimit dhe mësimit të fëmijëve shqiptarë të diasporës.
Ambasada impenjohet maksimalisht për të mbështetur nisma të tilla që i shërbejnë ruajtjes, përhapjes e masivizimit të gjuhës e kulturës shqiptare. Përpjekjet e përbashkëta në linjë me marrëveshjet e nënshkruara mes qeverisë së Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Kosovës për arsimin në diasporë, janë udhërrëfyes të çmuar në shërbim kultivimit e konsolidimit të mësimit të kulturës, gjuhës dhe historisë shqiptare e për rrjedhojë në ruajtjen e identitetit kombëtar”, shkruan Ambasada.