Ambicia e Qeverisë, 500 mln euro për arsimin në 5 vite; 70 mln shkojnë për tre kampuse universitare

Qeveria synon që në pesë vitet e ardhshme të shpenzojë rreth 500 milionë euro në arsim. Shifra del në strategjinë 5-vjeçare që Ministria e Arsimit ka hedhur në publik për konsultim dhe premtimet për ndërtimin e tre kampuseve universitare.
Rreth 420 mln euro strategjia përcakton si shpenzime për rritjen e cilësisë dhe përmirësimin e infrastrukturës në sistemin arsimor shqiptar. 70 për qind e kësaj shume do të shkojë për arsimin fillor dhe të mesëm dhe rreth 30 për qind për arsimin e lartë. Shuma e vënë në dispozicion për arsimin e lartë, sipas kësaj strategjie shkon në rreth 170 mln euro. Kësaj shifre u shtohen edhe 70 mln të tjera, për ndërtimin e kampuseve universitare, shpenzime që nuk janë përfshirë në këtë strategji.
“Në periudhën 2021-2026 do të ndërtohen tre kampuse të reja të IAL-ve publike. Vlera e përafërt e këtyre investimeve do të jetë 65-70 milionë euro, që është investimi më i madh i bërë ndonjëherë në arsimin e lartë shqiptar”, thuhet në strategjinë e Ministrisë së Arsimit.
Bëhet fjalë për Kampusin e Universitetit të Tiranës, një premtim i hershëm e i shtyrë në kohë dhe i parashikuar për t’u ngritur në zonën e Qytetit Studenti. Projekt-ideja fillestare për realizimin e tij parashikonte që kosto deri në 40 mln euro. Kampusi i dytë lidhet me atë të Akademisë së Arte dhe në fund ai i Akademisë së Sigurisë, ish-Akademia e Policisë.
Dokumenti përcakton se puna për hartimin e projekteve të këtyre tre kampuseve duhet të nisë që këtë vit, ku për këtë qëllim është vënë në dispozicion një fond prej rreth 500 mln lekësh.
Në lidhje me arsimin parauniversitar, strategjia vendos disa objektiva. Gjithpërfshirja përmes investimeve në infrastrukturë dhe mjedise, rritja e cilësisë së përgatitjes së mësuesve dhe përmirësimi i sistemit të karrierës, zbatimi i plotë i kurrikulës dhe me prioritet shfrytëzimi i teknologjisë dhe informacionit për brezin “digjital”.
Projekti për ndërtimin e Kampusit të Tiranës parashikohet që t’i jepet për zbatim Bashkisë së Tiranës, e cila u ngarkuar me këtë detyrë përmes një VKM-je në vitin 2020, pasi shembjes së dy godinave në Qytetin Studentit, që u klasifikuan si të dëmtuara nga tërmeti i 26 nëntorit 2019.
Gazeta Shqip