Bushati revoltohet me analistët e politikanëve të rreshtuar krah Bashës: Servilë të pështirë

Analisti Andi Bushati ka reaguar me tone të ashpra ndaj Lulzim Bashës, lidhur me zgjedhjet për kryetarin e ri të PD-së në 13 qershor.
Bushati thotë se Basha do të qëndrojë sërish në krye të opozitës, pasi thekson se nuk e lëshon atë që ka në dorë.
Ai kritikoi edhe politikanët apo analistët që sulmojnë kandidatët e tjerë për kryetar të PD-së, të cilët i quan servilë të pështirë që përpiqen të mos u mërzitet apo bezdiset shefi.
“Dihet që Basha i ka të fituara zgjedhjet në PD, se këtu askush se lëshon atë çka ka në dorë. Prandaj ky zelli i disave për të sulmuar rivalet e Bashës më duket servilizëm i pështirë.
Kur rezultati është i sigurt i bie që ata nuk kanë halle politike, thjesht përpiqen mos u bezdiset apo mërzitet shefi”, shkruan Bushati, që para zgjedhjeve të 25 prillit, ka qenë edhe ai mbështetës dhe madje edhe frymëzues i rrugës radikale të Lulzim Bashës, për të dalë jaashtë sistemit.