“Cenoi imazhin e partisë”, ja arsyeja se përse u skualifikua Ibsen Elezi nga gara për kryetar i PD

Kryesia e Partisë Demokratike ka votuar për skualifikimin e Ibsen Elezit nga gara për kryetar partie me justifikimin se me deklaratat e bëra ka dëmtuar imazhin e PD.
Ky ka qenë arsyetimi i dhënë nga anëtarët e kryesisë që kanë miratuar këtë vendim. Justifikimi është dhënë mbi bazën e disa deklaratave publike të Elezit pas zgjedhjeve të 25 prillit, ku ky i fundit kërkoi dorëheqjen e Bashës, duke e akuzuar kreun e demokratëve se po përdorte akuzat për manipulim të procesit si alibi.
Elezi akuzohet gjithashtu se nuk ka bërë fushatë për PD në zgjedhjet e 25 prillit.
Së bashku me Elezin janë skualifikuar edhe katër emra të tjerë, ndërkohë që në garë kanë mbetur vetë Lulzim Basha, Edith Harxhi, Agron Shehaj dhe Fatbardh Kadilli.
Në lidhje me kandidatët e eleminuar ka reaguar Edith Harxhi.
“Përjashtimi nga gara i kandidatëve për Kryetar Partie është akt i rëndë për një Parti të djathtë për të cilën Kryetari i saj aktual ka premtuar disa herë sistem përballjeje , por edhe në këtë rast, si në raste të tjera ishte besëprerë”, shkruan ajo.