‘Defender 21’, nis nga Durrësi stërvitja më e madhe ushtarake e SHBA dhe NATO-s (VIDEO)

Nga Porti i Durrësit ka nisur ‘Defender Europe 21’ , stërvitja më e madhe ushtarake që pret Shqipëria si aleate e NATO-s.
Në këtë organizim marrin pjesë autoritete civile të larta shqiptare, amerikane dhe të NATO-s.
Defender-Europe këtë vit përfshin rreth 28,000 forca amerikane, aleate dhe partnere nga 27 kombe për të kryer operacione të njëkohshme në më shumë se 30 zona trajnimi në 12 shtete nga Balltiku dhe Afrika në Detin e Zi dhe Ballkani.
Stërvitja do të ushtrojë aftësinë e Ushtrisë Amerikane në Evropë dhe Afrikë për të shërbyer si Komandë e Bashkuar e Komponentit të Forcës Tokësore, dhe si partner i sigurisë në rajonet me rëndësi strategjike të Ballkanit dhe të Detit të Zi, ndërsa mbështet aktivitetet në Evropën Veriore dhe Afrikë.
Përveç ofrimit të gjashtë bazave detare, tokësore dhe ajrore, Shqipëria, anëtare e NATO-s që nga viti 2009, do të angazhojë 1000 trupa në këtë stërvitje.