“Dua t’ju shoh në sy”/ Lulzim Basha sfidon demokratët: Jap dorëheqjen nëse thoni se…

Këshillin Kombëtar të PD, kryetari Lulzim Basha ka sfiduar demokratët. Lideri i PD është shprehur se është i gatshëm të japë dorëheqjen e tij, nëse ky Këshill i quan zgjedhjet e 25 Prillit të rregullta.
Të zgjedhim mes dy rrugëve, mësohet të ketë deklaruar lideri i PD, ose të ecim me faktin se zgjedhjet janë vjedhur dhe të vazhdohet me betejën e nisur, ose të pranojnë se zgjedhjet ishin të rregullta.
Nëse zgjedhjet pranohen si të rregullta, Basha ka deklaruar se ai është i gatshëm që të largohet nga posti i kryetarit të PD-së.
“Zgjidhni dhe dua t’ju shoh të gjithëve në sy. Ose zgjedhjet janë të vjedhura dhe vazhdojmë në betejë, ose nëse për ju janë në rregull, atëherë unë jap dorëheqjen tani.” ka thënë Basha.
Kujtojmë se më 13 qershor është caktuar që në PD të organizohen zgjedhjet e parakohshme për të zgjedhur kryetarin e ri të kësaj force politike. Përballë Lulzim Bashës, kandidaturën e ka konfirmuar Fatbardh Kadilli.
Një grup demokratësh kanë kërkuar dorëheqjen e parevokueshme të kryedemokratit. Bujar Nishani i kërkoi liderit të PD “të sillet si burrë”, ndërsa tha se “jemi në pikën më kritike pas 97. PD është në moment dëshpërimi si asnjëherë më parë”./Gazeta SHQIP