Dy këshillat e Kim për PD, njohje e 25 prillit dhe hyrja në Parlament në shtator

Yuri Kim ishte e drejtpërdrejtë kur i bëri Partisë Demokratike dy kërkesa publike, e që të dyja lidhen me 25 prillit, të cilin Selia Blu as e ka kundërshtuar dhe as e ka pranuar zyrtarisht.
Ambasadorja e SHBA pret që në muajin shtator Partia Demokratike të kthehet në Parlament, duke thënë se vendi ka nevojë për një opozitë të plotë. Ajo foli me bindje se pavarësisht deklaratave të Lulzim Bashës, në vjeshtë PD do të hyjë në Parlament.
“Është me rëndësi që të gjitha partitë të njohin rezultatet e zgjedhjeve dhe për sa është e mundur, që partitë tani të mendojnë se si t’i shërbejnë popullit shqiptar, të gjithë popullit shqiptar. Pra, po presim me kënaqësi që të punojmë me të gjitha palët, të shohim se çfarë mund të bëjmë së bashku si Shtetet e Bashkuara dhe Shqipëria dhe më duhet të them se më e rëndësishmja për ne është që Shqipëria ka qenë tepër gjatë pa një opozitë të plotë në parlament”, tha ajo në një intervistë për Opinion.
Kim vlerësoi si vendim të gabuar djegien e mandateve dy vite më parë, ndërsa vlerësoi ata deputetë që refuzuan këto djegie.
“Por kjo është e kaluara. Tani, teksa presim shtatorin, presim me kënaqësi që Partia Demokratike, e cila është një parti e rëndësishme, e cila ka dhënë kontribute shumë të rëndësishme historike për zhvillimin e Shqipërisë. Nevojitet t’i shohim të kthehen në parlament dhe jemi shumë të kënaqur të shohim deklaratat e tyre ku bëjnë të qartë se kur të vijë shtatori, do të kthehen në parlament”, vijoi ajo.
“Mendoj se gjithçka tjetër që mund të jenë duke thënë, po të shohësh deklaratat nga Lulzim Basha dhe kushdo tjetër në PD, bëjnë shumë të qartë që pavarësisht çfarëdo kundërshtimesh që kanë, do të jenë në parlament në shtator. Dhe kjo është vërtet e rëndësishme”, shtoi Kim më tej.