“Është paaftësi e Bashës që jemi këtu”, Kadilli: Anëtarësia e PD-së t’i japë leksion

Kundërshtari i Lulzim Bashës, Fatbardh Kadilli, është shprehur sot se nga zgjedhjet e djeshme priste reflektim nga kryetari i Partisë Demokratike, por kjo gjë nuk ndodhi.
Kadilli ishte në një lidhje live me emisionin “Breaking” në Top News, ku u shpreh se Basha nuk duhet të fshihet pas zbukurimeve të shifrave dhe diabolizimit të kundërshtarit. Sipas tij, kreu i PD-së duhet të japë dorëheqjen e parevokueshme.
“Kam kërkuar që Basha të kishte reflektim, dhe ai duhej të shoqërohej me një dorëheqjen të parevokueshme, do ishte ripërtëritje për PD, se nëse ai shkon nga humbja në humbje, dhe partia mbetet në rreth vicioz, e ardhmja nuk premton asgjë më të mirë nëse ai rri kryetar. Unë nuk mund të fshihem pas diabolizmit të kundërshtarit, zbukurimet e shifrave si ato të 2009 si më të mirat për PD, tani duke thënë masakër elektorale nuk është një justifikim”, tha Kadilli.
Ky i fundit u shpreh se PD solli sistemin demokratik, sistemi herë herë mund të jetë i pandershëm por nuk mund të luajmë me të. Kadilli shtoi se nuk duhet të zbukurojmë humbjen, kundërshtari edhe më i ligë do bëhet, por duhet të bindim qytetarët se kemi një zgjidhje më të mirë.
Ndërsa duke folur për procesin e 25 prillit, Kadilli tha se nuk ka proces të pastër në Shqipëri.
“Kam denoncuar çdo shkelje, blerje vote, përdorimi i parave të pushtetit , jam i bindur që ekipet tona mund t’ja dalin në rrugë institucionale, që kështu nuk duhet Basha për ta bërë këtë. Mund ta bëjë kushdo këtë. Ne nuk ia dolëm, diferenca mes nesh dhe PS-së është e madhe, rezultati është atje, tani çdo krim që është bërë të gjitha janë të domosdoshme, por mos të gënjejmë demokratë se do kemi zgjedhje së shpejti”, tha ai.
Kadilli shpreson që anëtarësia e Partisë Demokratike t’i japë leksion Bashës dhe kujtdo që mendon se PD mund të merret peng.
“Zgjedhjet nuk do jenë të drejta se unë kam komunikim vetëm me anëtarësinë. Tani vota e tyre do përcaktojë se a do rrimë humbës apo do bëjmë për PD më shumë se kaq”, tha ai.
Ndërsa duke folur për një marrëveshje të mundshme Basha –Rama, Kadilli tha: “Nuk besoj në teoritë e konsipiracionit se shpesh herë njerëzit gjejnë artificie, është paaftësi e Bashës që jemi këtu, që të kuptojë politikën”.
Ndërsa për kandidaturën e tij për kryetar të Partisë Demokratike, Kadilli tha se është një alternativë e mirë pasi: “Jam në politikë që nga viti 0 i qëndrueshëm , asnjëherë i bërë pis. Kjo është që duhet të bëjë ndryshimin”.