“Identifikimi elektronik dështoi”, PD nuk përmbahet, ankohet edhe kundër vetes, harron kush e drejtoi tenderin 25 milionë euro dhe kush e zbatoi

Ankimimi i Partisë Demokratike për 9 qarqe, pretendon pabesueshmërinë e procesit zgjedhor, ndërsa tenton të argumentojë masakrën elektorale te 25 prillit. Nuk dihet nëse do të arrihet ndonjë rezultat pas dorezimit të dosjeve me ankesa, pasi precedentët nuk janë optimistë për opozitën.
Gjithsesi ajo që bie më shumë ne sy nga padia është denoncimi i identifikimit elektronik. PD ngre pretendimin se më 25 Prill, pajisja elektronike e vënë në përdorim për herë të parë në një proces zgjedhor në Shqipëri, jo vetëm që nuk e penguar votimin më shumë se njëherë por e ka lehtësuar atë. Sipas PD, kjo pajisje pranonte shenjën e gishtërinjve të personave të tjerë pavarësisht mjetit të identifikimit që ata kishin paraqitur.
Në fakt kjo padi është kundër vetes. Tenderin 25 milionë euro për identifikimin elektronik dhe zbatimin e tij e drejtoi, sipas marrëveshjes së 5 qershorit, zëvendës-komisionerja e zgjedhjeve, e caktuar nga Partia Demokratike. Lealba Pelinku ishte garantuesja e identifikimit elektronik për opozitën.
Nëse ka dështuar dështimi i saj është dështim i vetë PD. Sot PD i ka kërkuar KAS të marrë një vendim kundër procesit që drejtoi vetë.