“Jemi të bindur që rezultati nuk ndryshon”, përfaqësuesi i PS-së në KQZ: Jemi të gatshëm për hapjen e kutive

Përfaqësuesi i Partisë Socialiste në KQZ, Eridian Salianji, ishte sot në një lidhje direkte me emisionin “Breaking” në Top News, ku u shpreh se nuk beson se do të ketë ndryshim të rezultatit në kutitë e votimit që do të hapen për rinumërim.
“Ne jemi të gatshëm për hapjen e kutive, për të vërtetuar fitoren dhe për të qenë transparentë. Por nuk besoj se do të ketë ndryshim të rezultatit. Ne tashmë jemi njohur me materialin zgjedhor, në qarkun e Beratit rezultati është i ngushtë. Por nga ndjekja e numërimit, ne nuk presim ndryshim rezultati, por presim hapjen dhe rinumërimin e të shohim rezultatin, edhe pse numërimi ka qenë transparent. Jemi të bindur që rezultati nuk ndryshon”, tha Salianji.
I pyetur për procesin zgjedhor, përfaqësuesi i PS-së në KQZ u shpreh se ka patur problematika teknike, të cilat janë zgjedhur më së miri. Sipas tij, si zgjedhjet ashtu edhe procesi i numërimit ka qenë transparent.