Kompleksi Partizani/ Gazetari: Malltezi me bashkëshorten erdhën nga Kosova me 40 mijë dollarë dhe…

Privatizimi i Kompleksit sportiv Partizani nuk ka qenë një operacion i shpejtë dhe i lehtë siç kishte planifikuar familja Berisha. Ishte nëntori i vitit 2005, ku vetëm dy muaj pas marrjes së detyrës, ministri i Ekonomisë, Genc Ruli dhe ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu filluan procedurat e privatizimit të qendrës më të madhe sportive në zemër të kryeqytetit. Ndërtesa me përmasa 26.000 metra katrorë, u pagua vetëm 14.000 euro.
E pikërisht privatizimi i Kompleksit Partizani dhe përfshirja e dhëndrit të ish-kryeministrit, Sali Berisha, Jamarbër Malltezi, u diskutua ditën e sotme në emisionin “Breaking” në Top News.
Për të folur për këtë çështje të rëndësishme, ishte i ftuar në studio gazetari i njohur, Adriatik Doçi, i cili tha se fillimisht Malltezi ishte trashëgimtar i 27 metrave katrorë në këtë pronë, e më pas gjërat ndryshuan.
“Sot Jamarbër Malltezi është pronar me 35%-50% i 20 kullave që janë ngritur në këtë kompleks. Kjo është fabula. Nga i mori paratë që investoi? Në 2006 kur kanë ardhur nga Kosova, së bashku me bashkëshorten, kishin vetëm 40 mijë dollarë, pasi paratë e tjera i kishin investuar në pasuri të paluajtshme në Shqipëri. E me 40 mijë euro arritën që të bënin kaq kulla. Nga i morën lekët. Kjo është njëra anë e skandalit”, tha Doçi.
Sipas tij, skandali tjetër është se si u privatizua kompleksi. Ai u shpreh se janë tjetërsuar dokumentet dhe se kjo përbën një vepër penale. Gjithashtu Doçi tha se shumë dokumente janë zhdukur dhe dihet se kush e ka bërë këtë gjë.
“Është babai i këtij që ka ngritur kullat. Fillimisht është implikuar Sali Berisha, pastaj janë ish-ministri Fatmir Mediu , Genc Ruli. Pastaj i është ulur vlera e godinës, deri në 75 për qind. Janë bërë disa akte vlerësimi. Një akt me vlerën e saktë dhe më pas janë ulur. Edhe te godina me vlerë jo shumë të madhe ka përfituar Malltezi”, tha gazetari i njohur.
Ky i fundit shtoi se më pas del në skenë edhe Lulzim Basha, i cili pasi merr pronën jep leje për ndërtim.
“Basha i ka dhënë leje për 17 kulla. Si doli ky nga 27 metra tokë me ndërtimin e 20 kullave? Malltezi ka lidhur një marrëveshje me disa prej ish-pronarëve, 27 prej tyre kanë pranuar. Pse gjysma pranoi dhe pjesa tjetër? Kush ia garantoi këtë sukses? Sali Berisha”, tha Doçi.