“Kosova nuk i bën dot padi për gjenocid Serbisë, Shqipëria mund ta bëjë në emër të saj. Por duke qenë të papërgatitur, do ishte hap i rrezikshëm”

Të premten kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se qeveria e tij ka filluar punën për përgatitjen e padisë kundër Serbisë për gjenocid.
“Ne jemi të bindur që Serbia ka kryer gjenocid në Kosovë në luftën e fundit tek ne dhe kjo e meriton një padi dhe qeveria e Republikës së Kosovës e ka përgatitjen e saj obligim ndaj historisë tonë, ndaj qytetarëve që kanë plagët e hapura dhe qe besa edhe ndaj ardhmërisë tonë, që kërkon një shtet demokratik, një shtet të drejtë në të cilën dihet qartë se kush është agresori e kush është viktima”, tha kryeministri Kurti.
Por juristi Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi tha në një bisedë më Zërin e Amerikës se Kosova nuk mund të ushtrojë një padi të tillë, meqë nuk është anëtare e Organizatës së Kombeve të Bashkuara dhe as ratifikuese e statutit të Gjykatës Ndërkombëtare për Drejtësi.
Por mund ta bëjnë padinë shtete të treta.
“Shtetet të cilat do të mund të padisnin Serbinë, lidhur me atë që ka ndodhur në Kosovë, pra respektivisht për të bërë padi në emër të Kosovës mund të jenë kryesisht shtetet si Shqipëria apo shtetet mike. Për të cilat padia ndaj Serbisë do të nënkuptonte edhe prishje të raporteve me këtë shtet”, tha ai.
Mundësia për ushtrimin e një padie të tillë është përmendur edhe në të kaluarën nga udhëheqës politikë të Kosovës duke nxitur reagimin e Beogradit.
Presidenti serb Aleksandër Vuçiç, tha se Kosova nuk mund ta bëjë një gjë të tillë, duke bërë thirrje që të heqë dorë nga kjo nismë. Zyrtarë të Beogradit thanë se paralajmërimi i Kryeministrit Kurti është goditje ndaj bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet të dyja palëve.
Shqiptarët e Kosovës e cilësojnë gjenocid fushatën e forcave serbe gjatë luftës së viteve 1998-1999, gjatë së cilës u vranë zyrtarisht mbi 10 mijë veta, mijëra llogariten të zhdukur, ndërsa mbi 800 mijë shqiptarë u dëbuan. Lufta mori fund me ndërhyrjen e NATO-s.
Kryeministri Kurti tha të premten se “përgatitjet janë gjigante sepse një rast i tillë as nuk guxon, as nuk duhet e as nuk mund të humbet”, por juristët thonë se një proces i tillë është shumë i ndërlikuar.
“Në këto 20 vjetet e fundit fatkeqësisht nuk është se Kosova ka përgatitur dokumentacionin dhe strategjinë për ta bërë një gjë të tillë, në këtë fazë e shoh thuajse si mision të pamundur, gjithmonë në funksion të asaj që padia për gjenocid të ketë sukses”, tha ai.
“Në rast të dështimit të një padie të tillë, dëmet për Kosovën do të ishin të pariparueshme” – thotë Miftaraj derisa përfitime të mëdha do të kishte shteti serb.
“Së paku në aspektin ndërkombëtar Serbia do të pastrohej si të themi nga një njollë duke vërtetuar në njëfarë forme se ai shtet nuk ka kryer gjenocid në Kosovë”, tha zoti Miftaraj.
Ai shtoi se Kosova duhet të hyjë në këtë proces me bashkërendim të plotë me Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Evropian.
Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë vërtetoi në vitin 2007 se gjenocid është kryer në Srebrenicë të Bosnjës ku forcat serbe vranë mbi tetë mijë burra në korrik të vitit 1995. Gjykata tha atëkohë se Serbia nuk e kishte parandaluar gjenocidin, por nuk kishte prova të mjaftueshme që Serbia kishte përgjegjësi të drejtpërdrejtë për të.
Kroacia po ashtu kishte ushtruar padi ndaj Serbinë për gjenocid gjatë luftës së viteve 1991-1995, ndërsa Serbia kishte paraqitur më pas një kundër-padi, me pretendimin se rreth 200 mijë serbë etnikë janë detyruar të zhvendosen në verën e vitit 1995.
Në vitin 2015, Gjykata hodhi poshtë të dyja paditë.