Kosova synon padinë ndaj Serbisë për gjenocid/ Zeka: Përrallë e radhës, Kurti është abuzuesi i shekullit

Qeveria e Kosovës ka paralajmëruar se do të paraqesë padi kundër Serbisë për gjenocid. E pikërisht kjo deklaratë e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, u komentua sot në emisionin “Breaking” në Top News.
Në një lidhje të drejtpërdrejtë ishte analisti, Milaim Zeka, i cili u shpreh se ky është abuzimi i radhës që Kurti bën me qytetarët e Kosovës, njësoj si Berisha me padinë ndaj sekretarit të shtetit amerikan.
“Çdo njeri normal në Kosovë e Shqipëri e di që Kosova nuk ka mundësi të bëjë padi ndaj Serbisë, se nuk jemi pjesë e Organizatës së Kombeve të Bashkuara”, tha Zeka.
Ky i fundit përmendi edhe një deklaratë të ish-kryeministrit, Ramush Haradinaj, i cili ka thënë se ka bërë një padi që qëndron në zyrën e Kurtit që nuk është bërë publike.
“Në vend që të merret me problemet e Kosovës, Kurti merret me gjëra të tjera. Ka politizuar vaksinimin e thoshte nuk dua këtë vaksinë apo tjetrën, inate mes tij dhe Edi Ramës”, tha analisti i njohur.
Sipas tij, kjo padi është një përrallë e radhës që e trumbeton Kurti, për të tërhequr vëmendjen nga problemi kryesor.
“Çfarë lidhje ka padia e bërë nga Serbia dhe padia për gjenocid që gjoja do ta bëjë Kosova? Serbia bëri padi se ishte dhe është pjesë e OKB, por Kosova nuk ka shans teorik për të bërë padi. Kuri është abuzues i shekullit. Ka abuzuar me ëndrrën e të gjithë shqiptarëve për bashkim. Nuk është ngritur në këmbë kur është dhënë himni shqiptar”, tha Zeka.